Vetëvendosje: Kosova nuk është në gjendje ta mbrojë UÇK-në, i duhen zgjedhje të reja

Vetëvendosje: Kosova nuk është në gjendje ta mbrojë


Lëvizja Vetëvendosje e quan të duhur por të vonuar dorëheqjen e sotme të Hashim Thaçit nga posti i presidentit te vendit pas thirrjes në Gjykatën Speciale.

Sipas tyre, Kosova nuk është në gjendje që ta mbrojë UÇK-në si pasojë e keqqeverisjes në dekadat e pasluftës.

"Dhjetë vitet e fundit janë dëshmi se si kushdo që ka pretenduar ta mbrojë UÇK-në përmes pazareve të fshehta, ka dështuar, dhe vetëm sa e ka rritur dëmin. Vetë Gjykata Speciale është padrejtësi e prodhuar prej tyre, përderisa ne si Lëvizje, bashkë me shumë veteranë e qytetarë, protestuam kundër saj."

Përmes një deklarate Vetëvendosje thote se Kosovës i duhen zgjedhje të reja e të lira, prej të cilave do të dalë një qeveri e pakorruptuar, e zgjedhur demokratikisht e jo produkt i pazareve. Vetëm kështu do të mund ta përparojë Kosovën e ta mbrojë UÇK-në dhe ta vlerësojë ashtu siç e meriton.

Deklarata e plote
Morëm vesh sot për thirrjen para Gjykatës Speciale edhe të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e të kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit. Akuzat ndaj tyre lidhen me luftën e UÇK-së, e cila për ne mbetet gjithnjë forcë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare. Si shqiptarë, natyrisht, shpresojmë që ata të kthehen të pafajshëm.

Fatkeqësisht Kosova sot nuk është në gjendje ta mbrojë UÇK-në me institucionet e saj, për shkak se keqqeverisja në dekadat e pasluftës ka rezultuar në institucione të brishta të drejtësisë, të cilat nuk kanë fituar besimin e qytetarëve, e njëkohësisht i ka përkeqësuar marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

E vlerësojmë gjestin e dorëheqjes prej presidencës të Hashim Thaçit si të duhur, por të vonuar. Do të ishte mirë të vepronte qysh kur erdhi lajmi për akuzat, e jo të linte vend për të menduar se në prapaskenë po negocion për të shpëtuar veten prej atyre akuzave.

Dhjetë vitet e fundit janë dëshmi se si kushdo që ka pretenduar ta mbrojë UÇK-në përmes pazareve të fshehta, ka dështuar, dhe vetëm sa e ka rritur dëmin. Vetë Gjykata Speciale është padrejtësi e prodhuar prej tyre, përderisa ne si Lëvizje, bashkë me shumë veteranë e qytetarë, protestuam kundër saj.

Tash Kosovës i duhen zgjedhje të reja e të lira, prej të cilave do të dalë një qeveri e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve, qeveri që ia kthen besueshmërinë vendore e ndërkombëtare Kosovës.

Presidenti i ri nuk mund të dalë prej pazareve në Kuvendin e vjetër e të deformuar, por do të dalë me integritet e besueshmëri, nga Kuvendi i ri, pas zgjedhjeve të reja. E deri atëherë, në një tranzicion të shkurtër e transparent drejt zgjedhjeve të reja, znj.

Vjosa Osmani si ud. e presidentes, do të kontribuojë për mirë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

Vetëm një qeveri e pakorruptuar, e zgjedhur demokratikisht e jo produkt i pazareve, do të mund ta përparojë Kosovën e ta mbrojë UÇK-në dhe ta vlerësojë ashtu siç e meriton. Të gjithë duhet të bëhemi bashkë në respektim të ligjit, vullnetit të qytetarëve e demokracisë, e jo për t’iu mbivendosur asaj.

Kosove Rajoni Lajme Kosovë hashim thaci ne hage vetevendosje

EMISIONET