Pas ngjarjes së rëndë në kryeqytet ku u vetëflijuan nënë e bijë, policia dhe prokuroria janë duke kryer verifikime të disa sekteve fetare, të cilat dyshohet se kanë ndikuar në ndërmarrjen e aktit të vetëvrasjes. Nënë e bijë u përcollën këtë të shtunë drejt banesës së fundit në Përmet, ndërsa vajza tjetër 34-vjeçare që i mbijetoi vetëflijimit ndodhet në urgjencën psikiatrike.

Pas ngjarjes makabre ku Zhaneta dhe Anisa Josifi u vetëflijuan në banesën e tyre në zonën e kombinatit, Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me policinë janë duke kryer verifikime të disa sekteve fetare. Puna e autoriteteve ligjzbatuese ka nisur pas dyshimeve se vetëflijimi është kryer pasi nënë e bijë ishin pjesë e organizatës fetare Dëshmitarët e Jehovait.

Këta të fundit mohuan pjesëmarrjen e dy të ndjerave në këtë organizatë fetare, ndaj verifikimet kanë nisur dhe për disa sekte të tjera, të cilat dyshohen se kanë ndikuar për të ndërmarrë aktin e vetëflijimit.

Burime nga policia bëjnë me dije se krahas çështjes së vetëflijimit, në prokurori është dërguar çështja edhe për 34-vjeçaren Blerta Josifi. E reja e cila arriti të mbijetojë akuzohet për mos kallëzim krimin, ndërsa prej dy ditësh tashmë ndodhet në urgjencën psikiatrike, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë këtë të shtunë 56-vjeçarja dhe vajza e saj 30-vjeçe janë përcjellë për në banesën e fundit në qytetin e tyre të lindjes në Përmet, aty ku prehet prej 5 vitesh dhe bashkëshorti i Zhanetës dhe babai i Anisës, i cili po ashtu vrau veten duke u hedhur nga pallati. 

Të afërmit e saj, kanë përcjellë Zhanetën dhe Anisën në banesën e fundit, ku mbi arkivolin e 30-vjeçares Anisa ishte vendosur dhe një vello nuserie. Në një kohë kur të gjithë prisnin që ta përcillni të renë nuse, ata e përcollën atë në banesën e fundit.

Zhaneta dhe Anisa Josifi u gjetën të vetëflijuara të enjten në banesën e tyre në Kombinat, ndërsa vajza tjetër Blerta 34-vjeçe u konstatua në gjendje të rëndë shëndetësore. 

Dyshohet se Anisa Josifi ka humbur jetën disa muaj më parë, por është mbajtur në shtëpi nga e ëma dhe motra me shpresën e ringjalljes. Trupi i saj është gjetur i lyer me vajra dhe lëngje të tjera për të ngadalësuar dekompozimin.

Nëna dhe dy vajzat e saj ishin ngujuar prej kohësh në banesën e tyre duke refuzuar që të hanin apo pinin me qëllim vetëflijimin për të arritur “ringjalljen”.

Ngjarja u denoncua nga daja i vajzave i cili u shqetësua për shkak se e motra nuk i kishte hapur telefonin. Pas mësymjes së policisë në banesë u zbulua edhe ngjarja e rëndë.

Lexo edhe: Tronditet Tirana: Vëllai gjen të vdekur të motrën dhe mbesën. Dyshohet se u vetëflijuan. Vajza tjetër rëndë në spital

Dyshohen se u vetëflijuan, vajzat dhe nëna ishin mbështetëse të dëshmitarëve të Jehovait

Tragjedia në Tiranë: Nëna dhe vajzat kishin ditë që nuk ushqeheshin, si i gjeten të vdekura në banesë

Vetëflijimi për tu ringjallur, nëna e vajza lyenin me vaj e uthull trupin e motrës së vdekur