Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, në një deklaratë për mediat nga selia e LSI-së komentoi qëndrimin e mazhorancës e cila në Kuvend do të rrëzojë dekretin e Presidentit për Ligjin e Metereologjisë.

Vasili  shprehet se mënyra sesi është ndërtuar ky ligj shmang tërësisht përgjegjësinë për monitorimin e subjektit pra i cili është vetë Ali e vetë Kadi.

Petrit Vasili: Parlamenti i rreshtuar haptazi në krah të grabitjes së pronës publike dhe të interesave të qytetarëve është mbledhur sërish për të rrëzuar dekretin e Presidentit të Republikës, i cili ka kthyer si antikushtetues dhe në cenim shumë të rëndë të interesave të publikut, por njëkohësisht edhe si një veprimtari qartësisht korruptive parlamentare-qeveritare, ligjin për Metrologjinë. Mënyra sesi është ndërtuar i gjithë ligji shmang tërësisht përgjegjësinë për monitorimin e subjektit, e cila i është lënë vetë subjektit, pra i cili është vetë Ali e vetë Kadi. Përmes këtij ligji një shërbim shtetëror jetik, pa asnjë konkurrim, pa kritere ligjore, pa asnjë studim fizibiliteti, pa asnjë studim ekonomik, pa asnjë studim social e mjedisor, vetëm me një vendim të një drejtori rilindas, mund t’i jepet lehtësisht për autorizim një privati.

Nënkryetari i LSI-së, thekson se ky ligj ka goditur në mënyrë të drejtpërdrejt 3 nene të Kushtetutës

Petrit Vasili: Ligji njëherazi është qartësisht antikushtetues. Ky ligj ka cenuar dhe ka goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë nenin 11 të Kushtetutës, nenin 18/1 të Kushtetutës, nenin 17/1 të Kushtetutës. “Neni 11 që përcakton qartë që kufizimet e lirisë ekonomike bazohen në pronën private dhe prona publike mbrohet njëlloj me ligj. Kufizime mund të vendosen vetëm me ligj për arsye tepër të rëndësishme.” Cila është arsyeja tepër e rëndësishme? Që shteti do të bëjë dhurata për një grup njerëzish dhe një grup oligarkësh, apo klientësh të tij? Ky është interesi? Neni 18/1: Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Asnjë lloj barazie nuk garanton ky, por vetëm një abuzivizëm që të përfitojnë disa, pra një ligj i qepur si kostum me porosi, për ata që janë porositësit e ligjit. Dhe njëkohësisht të gjithë rregullimet e të drejtat ligjore të njeriut si parimi i ekonomisë së tregut e të tjera, që përcaktohen në nenin 17/1 as nuk janë marrë fare në konsideratë.