I ftuar në RTV Ora, mjeku i njohur Artan Koni ka komentuar vendimin e fundit të kryeministrit Edi Rama për të bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës anti-Covid edhe në ambjente të hapura.

Sipas tij, ky vendim është allogjik.

“Ky vendim çfarë thotë? Ky vendim thotë se edhe kur nuk ke person afër edhe nëse je i vetëm rrugë, për sa kohë jeni jashtë shtëpisë suaj  duhet të keni maskë. Po kjo është vendim allogjik”, u shpreh mjeku.

Besmira Pelushaj: Ka llogjik mbajtja e maskës në automjet kur je vetëm ose kur je me familjarë me të cilët ke qenë edhe në shtëpi?

Artan Koni: “Kjo nuk ka asnjë llogjikë. Siç nuk ka asnjë llogjikë që kur jemi në autobus të mbajmë maskë e më pas kur të futemi në restorant për të ngrënë të mos mbajmë maskë. Të pallogjikshme. Nuk ka një formulim të saktë. Po nuk e zbatuat atëherë ka gjobë, kjo është akoma më absurde“.

“Nuk ia dalim duke nxjerrë ushtrinë, policinë apo blindat në rrugë. E pamë gjatë karantinës që nuk ia dolëm”, shtoi mjeku.

Sa i përket rasteve të reja, që po rriten çdo ditë, mjeku Koni theksoi se po bëhen pak testime dhe se numri i rasteve është stabël pasi edhe numri i tamponëve është po stabël.

“Nuk dimë akoma sa raste kemi. Kemi një numër stabël sepse bëjmë një numër stabël testesh. Por OBSH thotë se nëse ju dalin 10% pozitivë atëherë po bëni pak testime”, u shpreh gjatë intervistës së tij për RTV Ora mjeku Artan Koni.