Zhavorr në vend të asfaltit në rrugët e Tiranës, qytetarët: Hapën njërin krah na mbyti balta, në krahun tjetër pluhuri
UKT ka zgjedhur të mbyllë punimet nëpër rrugë me mbushjen e gropave të hapura me zhavorr. Por për banorët dhe drejtuesit e mjeteve kjo situatë e përsëritur është e pakuptimtë. Më shqetësues qarkullimi në rrugë të tilla është për të moshuarit.
Këtu ndodhemi në rrugën Tefta Tashko Koço e cila është e dëmtuar. Shqetësues është fakti se përkrah saj ndodhet edhe qendra shëndetësore numër 1.
Këtij të moshuari i duhet të vijë, pranë kësaj qendre për të kryer vizitat.
“Nuk është e drejtë. Duhet të përfundohet kur të niset, ose mos e nis fare. Kalojnë qytetarët çdo ditë këtu. Shumë keq.”
UKT, kreu njëherë punimet në njërën anë të kësaj rruge e më pas e la në këtë gjendje. Edhe në krahun tjetër është ndërhyrë , duke lënë të dëmtuar një korsi të tërë.
Zhavorri vetëm sa ka mbyllur gropat, por pluhuri dhe vështirësia për të kaluar mbetet aty.
“Copë copë, si në Shqipëri. Nuk është normale. Sidomos për këmbësorët, moshat e treta. Bashka të bë dorë.”
Duke u përballur çdo ditë me probleme të tilla në Tiranë, edhe drejtuesit e automjeteve janë të irrituar.
“Kjo është në të gjitha rrugët e Tiranës, jo vetëm këtu. Gjendja është katastrofike.”
"Të shpëtojnë njëherë e mirë banorët e zonës.”
Edhe pse është një rrugë me qarkullim të lartë, UKT ka zvarritur punimet e i ka lënë të papërfunduara. Shumë segmente kilometrike njësoj si ky në kryeqytet paraqesin të njëjtën panoramë, e megjithatë asnjë masë nuk është marrë ende për to.