Zbardhet dosja e specialistes së AKSHI-t. Për 2 vite bënte korrieren e drogës, shmangte policët: Jam punonjëse në ministri

Zbardhet dosja e specialistes së AKSHI-t. Për 2 vite bënte

“…Jam punonjëse, në një ministri…jam e ministrisë”. Me këtë fjali Erisa Fero, specialistja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, arrinte të shmangte patrullat policore, të cilat e ndalonin në rrugë.

Edhe pse në makinën tip “Golf 5”, Erisa Fero transportonte drogë, në asnjë rast nga ndalimi, ajo nuk është kontrolluar.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga “Ora News”, rezulton se zyrtarja e AKSHI-t nga viti 2020 e deri në dhjetor 2022, ka kryer rolin e transportimit të drogës, nga qyteti i Shkodrës ku blihej lënda narkotike në drejtit të Pogradecit dhe Korçës.

Dy pritësit e mallit që kishte dërguar grupi i Pogradecit, F.S., 30 vjeç dhe G.S., 28 vjeç, kanë mundur t’i shpëtojnë policisë.

Hetimet për këtë rast kishin nisur në vitin 2020, pasi është evidentuar se disa persona furnizojnë me lëndë narkotike subjekte kriminale në qytetet Pogradec dhe Korçë.

Në datën 8 dhjetor 2022 në aksin rrugor Shkodër-Tiranë, rreth orës 17:30 është konstatuar në drejtim lëvizje për në Tiranë një automjet. Pas kësaj makine vinte një tjetër mjet tip “Golf 5”, në posedim të Erisa Feros.

Erisa Fero është lidhje shoqërore me Lekë Basha dhe Endri Karaj. Ajo është e punësuar në A.K.SH.I dhe zakonisht kjo shtetase kryen transportimin e lëndës narkotike në ditët e pushimit me automjetin e saj “Golf 5”.

Nga dosja hetimore kuptohet se Erisa Fero, shkon me automjetin e saj në qytetin e Shkodrës, ku merr lëndën narkotike te personat e mësipërm dhe më pas niset për në drejtim të Pogradecit dhe Korçës.

Kur ndalohet nga policia, Erisa Fero prezantohet si punonjëse në ministri, me qëllim që të mos i nënshtrohet kontrollit. Për ti siguruar rrugën Erisa Feros dhe për të shkëmbyer lëndën narkotike cannabis sattiva me pritësit në F.S dhe G.S.

“…zakonisht personat që e mbulojnë me vëzhgim Lekë Basha dhe Endri Karaj, qëndrojnë 500 deri në 1000 metra para makinës që transporton lëndën narkotike, me qëllim për të kontrolluar rrugën dhe për të njoftuar Erisa Feron, nëse ka postbllok policie…” - thuhet në dosje.

Më tej në dosje thuhet se në 28 dhjetor 2022 shërbimet e policisë Korçë, kanë marrë informacion nga SPTIMSHI se Erisa Fero ishte nisur në drejtim të Pogradecit me automjetin e saj “Golf 5”.

Menjëherë shërbimet e policisë janë organizuar për të kryer verifikimin, ndjekjen dhe kontrollin e këtij automjeti. Në orën 17:25 në afërsi të Qafë-Thanë është konstatuar një automjet, në drejtimin e të cilit ka qenë shtetasi Lekë Basha dhe në vendin e pasagjerit, Maringlen Karaj.

Pak minuta më vonë vjen edhe automjeti  “Golf 5” që drejtohej nga Erisa Fero. Në afërsi të një hoteli në zbritje të Qafë-Thanës, Erisa Fero, ka dalë nga automjeti “Golf 5” dhe hipën si pasagjere te automjeti tjetër që në timon qëndronte Mariglen Karaj.

Ndërkohë Lekë Basha merr drejtimin e automjetit “Golf 5” dhe hyn me të në parkimin e hotelt. Ndërsa automjeti tjetër, ku ndodhej Erisa Fero lëviz në drejtim të fshatit Lin. Menjëherë shërbimet e policisë kanë bërë të mundur ndalimin dhe kontrollin e të dy automjeteve. Në momentin që i janë afruar automjetit, policia ka konstatuar pakot me lëndë narkotike në një çantë të madhe të zezë.

Policia sekuestroi 58 kg drogë të llojit hashash, ndërsa në fillim të muajit Janar 2023 gjykata e Pogradecit caktoi masën e sigurimit “arrest në burg”, për Erisa Feron dhe dy bashkëpunëtorët e saj, Lekë Basha dhe Endri Karaj.

28-vjeçaria nga Korça, ka nisur punë në vitin 2017 pranë AZRT, (Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale).

Nga atje, vajza që nuk dihet se çfarë shkollimi përkatës ka plotësuar si kriter kryesor, ka kaluar tek Inspektoriati Qendror, ku ka punuar nga vitit 2019 deri në vitin 2022 si Specialiste e Teknologjisë së Informacionit.

Nga atje, Fero ka nisur punë si shefe e Sektorit IT në muajin mars 2022 pranë AKSHI, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ku ka punuar deri në momentin e arrestimit.

EMISIONET