“Zanati nuk të lë pa bukë” 40 vite berber, Kaimi: Të rinjtë të lënë ëndrrat për punë zyre
Në Shqipëri janë të pakët të rinjtë që ndjekin shkollat profesionale. Mjeshtrit e zanateve thonë se ky treg ka gjithnjë hapësirë për punësim. Gazetarja Sonila Musai na sjell eksperiencën e një berberi në Tiranë i cili ushtron profesionin e tij prej 40 vitesh.
Zgjedhja e profesionit, është një moment shumë i vështirë dhe i rëndësishëm për të ardhmen e të rinjve.
Të shumta janë qendrat shtetërore ku ofrohen kurse për të rinjtë për të marrë një zanat të caktuar e për të qenë më afër tregut të punës.
Por janë të paktë të rinjtë që zgjedhin zanatet
Fatmir Kaimi, ka rreth 40 vite berber te zona e Pazarit të Ri. Thotë se pasioni për këtë profesion e detyroi që të ndiqte një kurs e më pas të ushtronte punën.
"Qysh fëmijë i jam futur kësaj rruge kaq të bukur dhe jam marrë me të gjithë këto vite. Më është dashur 9 muaj kurs për ta kapur këtë zanat."
Thotë se i qëndron shprehjes së vjetër, zanati nuk të lë kurrë pa bukë.
"Kjo shprehje më ka shoqëruar qysh në hapat e parë të profesionit dhe ka qenë e vërtetë 100% sepse kam plotësuar nevojat e mija si profesionist."
Praktika e gjatë e ka bërë mjeshtër. Klientët vijnë dhe nga lagje të tjera të Tiranës te Fatmiri.
"Kam 35 vjet që vij këtu nga Shallvaret."
Dhe pse kaq vite me të njëjtën rutinë, pasioni për punën nuk i është shteruar kurrë.
"Jam kënaqur shumë sepse kam njohur këtë zanat."
57-vjeçari vëren se të rinjtë e sotëm duket se nuk i kanë dëshirë këto punë, por duan zyra.
"Ata e kanë formulën gabim sepse nisen me kapur majën e madhe. Ne do ta lëmë zanatin një ditë, kush do t'i bëjë këto?"