Xhaçka: Shqipëria, vendi më i transformuar që po ndërton Evropën brenda territorit të saj 

Gjatë një takimi me studentë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomatë të rinj, organizuar në Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ministrja Olta Xhaçka dhe ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca konfirmuan se Shqipëria i ka plotësuar kushtet për të nisur negociatat me BE. 

Përmbushja e kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian e bën optimist Ambasadorin e BE se Shqipëria do të nisë shumë shpejt negociatat. Luigi Soreca thotë se pa Shqipërinë Bashkimi Evropian nuk mund të jetë i kompletuar.

Soreca: Shqipëria i ka përmbushur kushtet për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare. Zgjedhjet ishin hap i rëndësishëm pasi u zbatua ligji i ri elektoral dhe ky ishte një ndër kushtet e vendosura vitin e kaluar. Çështja është kur Shqipëria do të jetë gati për të nisur bisedimet. Unë e kam thënë se kjo është koha dhe ky vendim duhet të merret tani. Është e rëndësishme për Shqipërinë por edhe për BE po ashtu. BE nuk do të jetë i kompletuar nëse Shqipëria dhe Ballkani perëndimor nuk do të jenë pjesë e saj.

Për Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, Shqipëria ka pësuar transformim të madh dhe përmes reformave po e ndërton Evropën brenda territorit të saj.

Xhaçka: Shqipëria është ndoshta vendi që ka pësuar transformimin më të madh teksa përpiqet të ndërtojë Evropën brenda territorit të saj. Falë kësaj pune, ne jemi sot më pranë se kurrë realizimit të ëndrrës sonë evropiane. Shqipëria ka përmbushur çdo kusht e kërkesë për të mbajtur Konferencën e parë Ndërqeveritare dhe për të filluar negociatat e vërteta për anëtarësim, kapitull më kapitull, të cilat më shumë sesa thjesht negociata do të jenë një tjetër proces transformimi në mbyllje të të cilit ne do të dalim jo thjesht anëtarë të BE, por një vend realisht i standardeve të BE. Unë besoj që ky entuziazëm i shqiptarëve për Bashkimin Evropian, ky vullnet e dëshirë për të punuar pa u lodhur për të arritur këtë ëndërr, është sot shprehja më e mirë e asaj që përfaqëson dita e Evropës.

Deklaratat u bënë gjatë një takimi me studentët, aktivitet që u zhvillua në kuadër të Ditëve të Evropës.

EMISIONET