Xhaçka për mandatin dyvjeçar në KS: Mund të arrijmë shumë për të rritur më tej prestigjin e Shqipërisë

Nga NewYork ku ndoqi nga afër punimet në Asamblenë e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi që zgjedhja e Shqipërisë anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB për dy vitet e ardhshme, përbën një mundësi historike dhe një arritje të shkëlqyer për diplomacinë shqiptare.

Përmes një videomesazhi, Xhaçka u shpreh e lumtur që mund të ndajë me shqiptarët një lajm kaq historik pas votës në Asamblenë e Përgjithshme.

“Shqipëria ka fituar të drejtën për të qenë një nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit për një mandat dyvjeçar për vitet 2022-2023. Kjo do të thotë që nga 1 janari 2022 vendi ynë do të jetë anëtari i forumit më të lartë të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare ku trajtohen dhe merren vendime për çështjet më të mprehta që shqetësojnë botën sot sa i takon paqes dhe sigurisë”, u shpreh Xhaçka.

“Dua të falënderoj shumë të gjitha ato vende që na mbështetën me votën e tyre, që mbështetën kandidaturën e Shqipërisë. Dua të falënderoj shumë edhe grupin e Europës Lindore që zgjodhën t’i japin Shqipërisë mundësinë për t’i përfaqësuar në Këshillin e Sigurimit. Po kjo mbështetje nuk është e rastësishme, në fakt ajo është konfirmimi më i mirë i respektit dhe i besueshmërisë që gëzon sot Shqipëria si një vend, shtyllë stabiliteti në rajon, si eksportues sigurie në misionet paqeruajtëse dhe faktor stabiliteti dhe konstruktiviteti në çdo forum ndërkombëtar ku ka kontribuar. Një falënderim shkon për të gjitha ata burra dhe gra diplomatë dhe politikanë shqiptarë që kanë punuar për vite me radhë për të arritur këtë fitore kaq të madhe të diplomacisë shqiptare”, shtoi ajo.

Po ashtu, Xhaçka shtoi se fakti se Shqipërisë i jepet për herë të parë mundësia të bëhet pjesë e këtij forumi pas 65 vitesh anëtarësi në OKB, ndërkohë që shumë vende të tjera nuk kanë pasur një mundësi të tillë, ilustron më së miri se çfarë përmasash ka kjo ngjarje.

“Po përtej gëzimit dhe kënaqësisë krejt legjitime, fakti se na është dhënë një mundësi e tillë historike është edhe një përgjegjësi e madhe. Ne jemi të vetëdijshëm që duhet të kemi pritshmëri realiste për atë që mund të arrijmë në Këshillin e Sigurimit. Po ashtu jemi edhe optimist se me një plan të mirë pune me një strategji dhe objektiva të qarta, me përgatitje serioze për ditën kur do të ulemi në Këshillin e Sigurimit mund të arrijmë shumë. Sot që flasim përgatitjet janë duke vazhduar ethshëm dhe jemi në prag të finalizimit të skuadrës që do të përfaqësojë Shqipërinë, pra të gjitha atyre që do të përzgjedhë si diplomatë më të mirë nga shërbimi i jashtëm, por kemi hapur edhe një thirrje për të ofruar te kjo skuadër ekspertë më të mirë jashtë sistemit, atë që do të bëhen pjesë në atë që e kemi quajtur ekipi i ëndrrave në Këshillin e Sigurimit”, tha Xhaçka.

“Nëse punojmë siç duhet mund të arrijmë shumë për të rritur dhe më tej prestigjin e Shqipërisë si një aktor serioz në arenën ndërkombëtare. Mund të arrijmë shumë për rajonin tonë duke sjellë një vëmendje të posaçme, sidomos te Kosova dhe nevoja për arritjen e një marrëveshje përfundimtare. Mund të arrijmë shumë për të shtrirë rrjetin e kontakteve dhe bashkëpunimit me vende dhe organizata ndërkombëtare, apo për të çuar përpara prioritetet e zhvillimit të Shqipërisë dhe rajonit”, vijoi ajo.

Ajo shtoi se “mund t’i bëjmë këto duke punuar shumë me ide dhe vizion, duke bashkëpunuar ngushtë me miq dhe partnerë, por mbi të gjitha duke sjellë në Këshillin e Sigurimit eksperiencën dhe modelin shqiptar me trajtimin e sfidave me të cilat përballet sot bota”.

Në fund, Xhaçka shtoi se “në ditët në vijim do të kemi komunikime me publikun për t’i informuar në mënyrë më të qartë dhe më të detajuar për të gjitha platformën e Shqipërisë për përzgjedhjen e ekipit tonë dhe për pritshmëritë tona nga kjo mundësi historike”.

EMISIONET