Vrau efektivin e RENEA-s Lazarat, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e njërit prej autorëve, Ruhan Hiraj

Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e paraqitur nga Ruhan Hiraj, pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal, i njohur si grupi i zjarrit, i dënuar nga Apeli i Posaçëm me 15 vite burg për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, ngjarje e shënuar 9 vite më parë.

Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Sandër Simoni nuk pranuan kërkesën e Hiraj për rishikim të vendit të dhënë nga Apeli i Posaçëm në datë 18 shkurt të vitit 2021.

Në qershor të vitit 2015 në Lazarat mbeti i vrarë me armë zjarri efektivi i RENEA Ibrahim Basha, si dhe të plagosur dy kolegët e tij Jetmir Isaj dhe Perlat Shpati.

Mesnatën e 24 qershorit të atij viti, disa grupe policie u përballën me një automjet tip “Benz” në Lazarat, që ishte i mbushur me lëndë narkotike dhe me një arsenal armësh.

Automjeti drejtohej nga Xhulio Malo, i cili u kap nga policia, por pas këtij momenti u dëgjuan breshëri plumbash nga një distancë e largët.

Nga të shtënat, vetëm njëri prej plumbave goditi eskortën e policisë, e pikërisht efektivin Basha në kokë që humbi jetën, ndërsa ciflat e plumbit lanë të plagosur edhe dy të tjerë.

Për këtë ngjarje, policia listoi 21 persona të dyshuar, ndërsa prokuroria vetëm 11 prej tyre çoi për gjykim.

Pasi çështja kaloi në të dyja shkallët e gjyqësorit, dy nga të akuzuarit morën dënim përjetë, ndërsa të tjerët u dënuan në total me 148 vite burg.

Ruhan Hiraj akuzohet për kryerjen e veprave penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit publik me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi i armëve luftarake“, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrja në bandën e armatosur”.

EMISIONET