Votimi nga jashtë, KQZ: Mërgata të ketë vendet e rezervuara në Kuvend. Procesi të përfundojë në vjeshtën e 2023

Votimi i shqiptarëve që jetojnë jashtë është një ndër tezat që politika nxjerr në skenë sa herë që ka zgjedhje. Këtë bëri dhe në zgjedhjet e 25 prillit 2021 por pasiguria dhe mosbesimi që palët politike kanë kundrejt njëra-tjetrës për procesin zgjedhor brenda vendit, janë natyrshëm në një shkallë më të lartë në rastin e votimit nga jashtë.

“Në pikëpamjen time, votimi nga jashtë, vecanërisht në herën e parë të tij, ka si kusht të domosdoshëm pasjen e një konsensusi, jo sa më të gjerë politik, por thuajse të plotë, mbi çdo aspekt përgatitor dhe realizues të këtij procesi” nënvizon kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi në konferencën  Kombëtare “Votimi nga Jashtë, koha është tani”

KQZ fton partitë politike, organizatat e shoqërisë civile, institucione dhe organizata partnere ndërkombëtare për të qënë pjesë e përgatitjes së procesit të votimit nga jashtë.  Gjithë kuadri rregullator për votimin nga jashtë do të konsultohet që në fazën ë draftimit me të gjithë grupet e interesit, përfshi këtu edhe partitë politike.

KQZ synon që këtë proces ta përfundojmë jo më vonë se vjeshta e vitit që vjen.

Ilirjan Celibashi: “Në pamje të parë duket se është një periudhë kohë e gjatë dhe e mjaftueshme për të ndërtuar gjithë arkitekturën rregullatore dhe normuese të këtij procesi, por nuk është kështu.

Ne do të duhet të dakortësohemi të gjithë për rregullat që kanë të bëjnë me regjistrimin e votuesve nga jashtë, me procedurat dhe mënyrën e votimit, llogaritjen dhe tabulimin e rezultatit, etj. Pak a shumë do të na duhet të miratojmë një kod zgjedhor vetëm për votimin nga jashtë. Dhe ne të gjithë e dimë që kjo nuk është një gjë e thjeshtë në Shqipëri.”

Gjithsesi nga ana tjetër, vjeshta e vitit të ardhshëm është mjaftueshëm larg periudhës së zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë. Kjo do të thotë se me këtë rast partitë politike do ta kenë të vështirë të kalkulojnë mirë interesat e tyre politike elektorale në mendimet dhe vlerësimet e tyre për rregullat që do të miratohen për votimin nga jashtë. Kështu ne shpresojmë që të marrim një konsensus të plotë mbi përmbajtjen e këtyre rregullave”

Si do të llogaritet vota? Vende te rezervuara

Kreu i KQZ propozon që për mërgatën të ketë një numër të rezervuar vendesh në Kuvend

Ilirjan Celibashi:“Krahas të tjerave KQZ-së do t'i duhet të përcaktojë vetë ato rregulla në lidhje me përllogaritjen e votës së votuesve nga jashtë në rezultatin e zgjedhjeve.

Vota e tyre do të llogaritet në rezultatin e qarkut Tiranë? Apo do të llogaritet në rezultatin e qarkut në rregjistrin e gjendjes civile ku votuesi nga jashtë është i regjistruar?

Dikush mundet të thotë që kjo është e qartë. Mundet. Por ne kemi konstatuar që ka pikëpamje të ndryshme mbi këtë çështje, nga parti politike, subjekte të tjerë të interesuar për votimin nga jashtë, por edhe vetë brenda KQZ.

E në vijim të kësaj cështje unë mendoj se ne duhet të rihapim diskutimin në lidhje me përfaqësimin e votës së mërgatës. Ka pikëpamje të ndryshme për këtë çështje. Personalisht mendoj se do të ishte me dobi dhe interes të gjerë që ne të aplikonim një sistem përfaqësimi të tillë që për mërgatën të kishte një numër të rezervuar vendesh në Kuvend.

Kjo nga njëra anë do të garantonte plotësisht përfaqësimin e tyre, si dhe dëgjimin e zërit të tyre për zhvillimin e vendit, por nga ana tjetër nuk do të cënon interesin e atyre që jetojnë në mënyrë të përhershme brenda vendit dhe që janë të lidhur direkt me cfarë dhe si vendoset nga institucionet publike duke filluar më së pari nga Kuvendi që është organi përfaqësues i tyre. Gjithësesi kjo është një cështje që implikon interesa politike dhe në fund të fundit do të jetë ajo që do të vendosi mbi të.”

Miratimi i të gjitha akteve nënligjore nga KQZ brenda vjeshtës së vitit të ardhshëm, do ti japë mundësi që të përgatisë sa më mirë gjithë infrastrukturën teknike dhe logjistike të votimit nga jashtë.

Konsultimet

Përgatitja e infrastrukturës teknike kërkon edhe ajo një proces konsultimi të gjerë me të gjithë faktorët. KQZ do të ndërtojë një strukturë të konsultimit peroidik me të gjitha palët e interesuara për votimin nga jashtë.

“Transparenca dhe gjithëpërfshirja do t'i japin besueshmëri, si përgatitjes së këtij procesi, ashtu edhe realizimit të tij. Kjo konferencë është hapi i parë dhe tregues i kësaj qasje nga ana e KQZ-së” tha Celibashi.

Votimi nga jashtë, KQZ: Mërgata të ketë vendet e rezervuara

EMISIONET