Vlorë/ Ullishtet u dogjën për barin e thatë

Qindra rrënjë pemë frutore u dëmtuan nga zjarret në Vlorë e Patos. 3 persona nën akuzë për zjarret që rrezikuan Kaninën e Mërgëlliçin. Ullishtet në Kaninë të Vlorës e Mërgëlliç të Patosit u dogjën për barin e thatë! Tre persona janë vënë nën akuzë pas ndezën zjarre për të pastruar tokat bujqësore.

Pamjet tregojnë pasojat e zjarrit që përfshiu të enjten, 22 shtator 2022, kodrat e fshatit Kaninë në Vlorë.

Mbi 2000 rrënjë ullinj u dogjën plotësisht ose u dëmtuan si pasojë e flakëve që u vunë nën kontroll vetëm pas ndërhyrjes së helikopterit të ushtrisë.

Fermerët thonë se dëmet janë të mëdha dhe pasojat të parikuperueshme.

“Jo nuk bëjnë më ato mbaruan,” tha një nga fermerët.

Zjarret u shkaktuan nga dy banorë të zonës të cilët do të hetohen në gjendje të lirë! Njëri tentoi të pastrojë ullishten e tij duke djegur degët e thata, por zjarri i doli jashtë kontrollit. Ndërsa një vatër u shkaktua nga shkëndijat e punës me troko.

Ndërkohë policia e vlorës vuri në pranga zjarrvëniesin në kodrat e Tragjasit, i cili po ashtu dyshohet si autor i një rasti zjarrvënie edhe në Dukat.

Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri automatik, me fishek në fole.

Një 64 vjeçar ndërkohë fajësohet si shkaktar i zjarrit që përfshiu kodrat e fshatit Margëlliç në Patos, ku për pasojë u dogjën sipërfaqe të mëdha me ullishte dhe shkurre.

Ai sipas policisë ndezi një zjarr për të djegur barërat e keqia, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe për t’i vënë nën kontroll veç forcave zjarrfikesë nga disa bashki u kërkua ndërhyrja e helikopterit.

EMISIONET