Vlora vetëm me dy zjarrfikëse në 76-vjetorin e krijimit të repartit të shërbimit zjarrfikës

Me fonde të limituara, me pak mjete, e në shumë raste pa paisjet e duhura, në të tillë situatë e gjen 76-vjetori i krijimit repartin zjarrfikës në Vlorë.

Për t'ju përgjigjur emergjencave të gjithë qytetit në funksion janë 2-3 mjete, pjesa tjetër e flotës nuk punon.

"Në këto 5 automjete, 2 janë furgona. E kemi të domosdoshme që këto automjete të vihen sa më shpejt në përdorim."

"Aktualisht me këto 2 automjete punohet."

Drejtuesit e repartit thonë se janë të shumta rastet ku ju kanë ardhur në ndihmë qytetarëve, madje duke rrezikuar dhe jetën e tyre.

Thonë se ja kanë dalë, pavarësisht problemeve me fondet dhe mungesën e mjeteve.

"Kemi qenë krah qytetit për çdo situatë në banesa, ndërhyrje, ashensore, aksidente automobilistike që kanë qenë të shumta dhe shumë të rënda. Kemi pasur mungesa në realizimin e fondeve financiare."

"Duhet parë më vëmendje shërbimi zjarrfikës sepse ne futemi në strukturat e emergjencës civile."

Ata që kanë punuar gjatë në shërbimin zjarrfikës shprehen se kanë ndeshur shumë vështirësi e theksojnë nevojën për investime.

"Pse duhet të udhëtojë me makinën e tij ai kur ka zjarr, ku i ka makinat shteti?"

Vlora është një nga qarqet që gjatë stinës së verës shënon raste të shumta zjarresh.

Mungesa e kapaciteteve të shërbimit zjarrfikës apo problemet me menaxhimin e të tilla situatave kanë shkaktuar dëme të shumta në pyje apo zonat e mbrojtura.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET