VIDEO/ Në shkollë me thikë, në shtëpi me arsenal armësh, nis procedimi pë 16-vjeçarin, ndërsa i ati shpallet në kërkim
Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një 52-vjeçar dhe ka nisur procedim për djalin e tij të mitur, i cili dyshohet se mbante armë të ftohta në shkollë, gjatë kohës që frekuentonte mësimin, dhe se shtyhej nga babai i tij për të përdorur armë zjarri.
“Gjatë këtij operacioni u procedua penalisht një shtetas 16 vjeç, si dhe punohet për kapjen dhe arrestimin e babait të tij, shtetasit O. Sh., 52 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se 16-vjeçari, mbante armë të ftohta gjatë kohës që frekuentonte mësimin në shkollën e tij, si dhe shtyhej nga babai i tij, për të përdorur armë zjarri”, tha policia.
Gjatë kontrollit të banesës së tyre, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan 6 armë (pushkë, shotgun, sportive, gjysmë automatike), sasi municioni luftarak të kalibrave të ndryshëm, 2 mjete prerëse, si dhe 2 palë targa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.