Video e sulmit me armë ndaj Pepaj në Shkodër, gjykata dënon me 3.8 vite Shkëlzen Xhenjen. Pushohet akuza për Eljo Hato dhe Sehar Xhenjen
Goditja me armë e Taulant Pepaj në qytetin e Shkodrës ka vetëm një person të dënuar, i cili është Shkëlzen Xhenje.
Tentativa e vrasjes së Pepaj, ndodhi në muajin Shkurt 2021, ku fillimisht policia akuzoi si pjesëmarrës, tre personat Shklëzen Xhenje, Eljon Hato dhe vëllain e Shkëlzenit, Sehar Xhenje.
Por gjatë hetimeve të kryera, prokuroria e Shkodrës, refuzoi të ngrejë akuzë për dy të dyshuarit e policisë, Eljo Hato dhe Sehar Xhenjë, pasi sipas grupit hetimor dy personat nuk implikoheshin, në këtë sulm me armë.
Për pasojë akuzat ndaj tyre janë pushuar në gjykatë. Ndërsa gjykata e Shkodrës, ka shpallur fajtor vetëm Shkëlzen Xhenjen, për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve” dhe ka vendosur pushimin për “Kanosje me armë”.
Xhenje fillimisht është dënuar me 5 vite e 6 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar i tij është 3 vite e 8 muaj burgim.
Tashmë dosja kundër Shkëlzen Xhenjes, i ka kaluar dhe ndodhet në pritje për tu gjykuar në gjykatën e Apelit Tiranë. Këto janë pamjet filmike të siguruara nga “Ora News” ku tregohet sulmi me armë, ndaj Taulant Pepaj.
Teksa ai ndodhet në makinën e tij në ambientet e një pike karburanti, është sulmuar befasisht me armë nga tre persona.
Në pamjet filmike duket qartë se tre persona dalin nga dy makina të ndryshme si “Audi” dhe një “Benz-Mercedez” të blinduar S600 me targë “AA 540 RF” në pronësi të Arsad Bashli, por përdoret nga I.B, një eksponent i njohur i botës së krimit në Shkodër.
Të tre personat duket që mbajnë armë në duar dhe njëri prej tyre i drejton pistoletën drejt kokës Taulant Pepaj, dhe i hap derën e makinës.
Por Pepaj, bën një lëvizje të menjëhershme duke u larguar dhe fatmirësisht nuk ka pasur dëmtime.
Pas këtij momenti dy nga personat, ku njëri prej tyre dallohet qartë dhe sipas policisë dyshohet se është Eljo Hato, hipin në mjetin Audi dhe largohen.
Ndërsa pas tyre Shkëlzen Xhenje, hipën në makinën “Benz-Mercedez” S600 të blinduar dhe largohet. E gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e një pike karburanti në Shkodër, ndërsa persona e tjerë që ishin të pranishëm nuk kanë bërë asnjë lëvizje.
Shkëlzen Xhenje, personi i vetëm i dënuar për këtë ngjarje është kushëri i Erjon Xhenjes, 19-vjeçarit të vrarë në 16 Tetor 2022 në Shkodër.