Veliaj nuk deklaron pronarët në bashkepronësi me bashkinë, refuzon edhe QKB-në

Bashkia e Tiranës po shkel në mënyrë të hapur vendimet e qeverisë duke mos vepruar sipas detyrimeve ligjore për regjistrimin e pronarëve përfitues të subjekteve që ka në pronësi. Mes 5 kompanive të shënuara me flamur të kuq për mungesën e transparencës ka edhe subjekte si Eco Tirana ku bashkia e kryeqytetit është pronare me 51 për qind të aksioneve. E njëjta situatë konstatohet edhe në 4 shoqëri të tjera të menaxhuara nga bashkia.

Pas publikimit të audiopërgjimit, i cili zbuloi se Erion Veliaj nuk njeh as organet e pavarura si Shoqata Shqiptare e Futbollit, duket se Bashkia e Tiranës nuk njeh as vendimet e qeverisë.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit në Tiranë janë të paktën 5 subjekte, të cilat rezultojnë me flamur të kuq pasi nuk kanë kryer regjistrimin e pronarëve përfitues, një detyrim ligjor ky në kuadër të transparencës.

Ligji për regjistrimin e pronarëve përfitues i miratuar që prej vitit 2020 parashikon gjobitjen me 600 mijë lekë të subjekteve që nuk kanë pasuruar regjistrin e biznesit.

Vlera e gjobës që Bashkia Tiranë duhet të paguajë në rast se 5 kompanitë nuk bëjnë regjistrimin e pronarëve përfitues deri më 1 prill është 3 milionë lekë.

Lista e bizneseve kryesohet nga kompania Eco Tirana, e cila është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në datën 22 qershor 2016 dhe merret me administrimin e mbetjeve të kryeqytetit.

Sipas ekstraktit të QKB, Bashkia e Tiranës zotëron 51 për qind të aksioneve, ndërsa 49 për qind janë në pronësi të Holding AGSM Albania.

Në dokumentet e regjistrimit të firmës figurojnë si administratorë Andrea Benati, Taulant Tusha, Diego Testi dhe Mirco Caliari.

Ky subjekt është shënuar me flamur të kuq pasi ka anashkaluar detyrimin ligjor për regjistrimin e pronarit përfitues dhe gjoba e parashikuar në këtë rast është rritur nga 250 mijë lekë në 600 mijë lekë.

E njëjta situatë shihet se është ndjekur dhe nga 4 shoqëri të tjera, të cilat administrohen nga Bashkia Tiranë.

Qendra Sportive me administrator Fatjon Dhulin, Rezidenca studentore universitare nr. 1 dhe nr.2 me pronarë Anila Shehun dhe Zhanina Dapin.

Një tjetër subjekt, i cili rezulton se është themeluar prej vitit 2005, por ende nuk ka bërë plotësimin e regjistrit të biznesit është Drejtoria e Trajtimit të Studentëve.

EMISIONET