Veliaj dhuratë "Fushës", miliona lekë për shkurre dekorative

Bashkia e Tiranës ka zhvilluar së fundi një tjetër tender që është shënuar me flamur të kuq. Ka qenë Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit Tiranë, e cila ia ka besuar kompanisë "Fusha shpk" tenderin 36 milionë lekësh për shkurret dekoratike ne kryeqytet, pavarësisht se një operator tjetër kishte paraqitur ofertë më të ulët.

Tirane- Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj nuk i ndalojnë procedurat e dyshimtate prokurorimeve.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimit Publik, së fundmi ka qenë Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit Tiranë, e cila më 6 prill ka hapur garën për tenderin me objekt ‘Furnizimi dhe vendosja e shkurreve dekorative me fond limit 37.8 milionë lekë.

Në faqen e autoritetit kontraktues bëhet e ditur se për këtë projekt kanë shfaqur interes 3 operatorë konkretisht; AlbGarden shpk me ofertën 35 milionë lekë, "Fusha shpk" me ofertën prej rreth 36 milionë lekësh dhe subjekti Dean 09 shpk, i cili ka kërkuar 37.7 milionë lekë.

Sipas dokumenteve zyrtare, fitues është përzgjedhur kompania "Fusha" me ofertën prej rreth 36 milionë lekësh ndërkohë që dy operatorët e tjerë janë përjashtuar nga gara pasi thuhet se nuk plotësojnë kriteret e kualifikimit.

Referuar të dhënave, ka qenë operatori AlbGarden shpk që ka paraqitur një vlerë më të ulët për tenderin në fjalë, por fitues është shpallur kompania që ka kërkuar 1 milionë lekë më shumë.

Procedura është sinjalizuar si problematike edhe nga Open Data e cila e ka shoqëruar me flamurin e kuq dhe shënimin skualifikimin e të gjithë operatorëve ekonomikë përveç fituesit.

Kjo kompani ka përfituar fonde nga buxheti i shtetit edhe në raste të tjera përmes tenderave me Bashkinë e Tiranës. Një prej këtyre rasteve është ai për rikualifikimin urban të Sheshit Skënderbej, faza e II-të me një fond prej 195 milionë lekësh dhe në garë ka marrë pjesë vetëm "Fusha shpk" e cila është shpallur automatikisht fituese.

EMISIONET