Vdekja e 30-vjeçares pas lindjes, familjarët: Fajin e ka mjeku, këtu po nuk dhe lekë je i vdekur
Familjarët e një gruaje nga Mallakastra akuzuan mjekët e maternitetit "Koço Gliozheni"për mosdhënien e mjekimit me pasojë vdekjen e një 29-vjeçareje. Më 28 janar ajo lishte lindur pa probleme por katër ditë më vonë pati shqetësime dhe humbi jetën. Të afërmit protestuan tek spitali, ndërsa trupi i pa jetë i është dorëzuar mjekësisë ligjore për zbardhjen e shkakut të vdekjes.
Një grua 29-vjeçare ka humbur jetën pak ditë pas lindjes së fëmijës në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, ndërsa familjarët kanë akuzuar mjekët për mosdhënien e trajtimit të duhur.
Ngjarja u bë e ditur pas protestës së familjarëve, pasi nga stafi i maternitetit ka pasur një telefonatë në policinë e Tiranës ku është pretenduar se një nga familarët e gruas kishte goditur xhamat e spitalit.
"Nusja edhe në spital i kishte rënë të fikët. Fajin e ka doktori. Duhet të flasim me të e ta gjejmë nga se i ka ardhur. Nga gjilpëra e tepërt që i ka bërë ai apo nga dikush tjetër. Duan lekë këta qen se asgjë tjetër nuk ka këtu. Lindja shkoi shumë mirë. Faji është i doktorit. Fëmija ka lindur 5 kg, sipas atyre. Këtu loz leku, po dhe lekë shpëton kokën, po nuk dhe nuk shpëton i gjallë," kanë thënë familjarët.
Më 28 janar, Mimoza Veizaj kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të parë, një djalë me peshë 5 kilogramë.
Burimet nga spitali kanë thënë se lindja ka qenë normale, vetëm me një episod kalimtar temperature.
Por familjarët pretendojnë se gruaja ka shkuar në spital në 3 të natës dhe ka lindur 12 orë më vonë.
Sipas tyre, 29-vjeçarja nuk ka pasur probleme shëndetësore më parë.
Në reagimin e spitalit thuhet se pas 48 orësh ku ka marrë shërbimin e nevojshëm, nëna ka dalë nga materniteti me dëshirën e saj, në gjendje shëndetësore të stabilizuar.
Por disa ditë pas lindjes, nëna e re është paraqitur sërish në spital me dobësi trupore dhe është shtruar në repartin e terapisë intensive, ku gjendja është rënduar në mënyrë të shpejtë, duke ndërruar jetë.
Burime spitalore thanë se 29-vjecarja dyshohet se ka pësuar tromboemboli pulmonare të shoqëruar me arrest kardiak, megjithatë pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të zbardhë shkakun e vdekjes.
Nga ana tjetër familjarët kanë thënë se pas lindjes në spital dhe kthimit në banesë, gruaja ka pasur dhimbje në pjesën e brinjëve dhe mpirje të këmbës si pasojë e shërbimit të munguar.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.