Vijojnë hetimet për zbardhjen e motivit të vrasjes makabër të Shefki Kurtit, kontrollohet banesa e tij dhe e familjarëve

Janë mbushur dy javë nga 22 korriku, dita e largimit prej banese e ndoshta dhe data e vdekjes së Shefki Kurtit, e ende nuk është gjetur autori i vrasjes së tij konsumuar në provincën e Rovigos në Itali.

Plot një javë më parë, punonjësit e bonifikimit të ujit Adigetto gjetën në një breg të tij, këmbën e majtë të Shefki Kurtit, shqiptarit 72-vjeçar, trupi i të cilit dis ditë më pas u rikuperua i mbyllur në katër thasë plastikë, që autori i këtij krimi makabër i kishte hedhur në ujë.

Autoritetet policore po vazhdojnë të hetojnë në jetën e viktimës e të familjarëve të tij, e kanë vënë në kontroll financat e Shefki Kurtit që janë pothuajse të papërfillshme.

Vendi ku është vrarë Shefki Kurti e arma e copëtimit makabër të trupit të tij, janë dy pistat ku është përqëndruar puna e investiguesve italianë, e nga mund të arrihet tek autori i vrasjes.

Banesa ku Shefkiu jetonte së bashku me bashkëshorten Nadire është vënë nën sekuestrim e policia shkencore ka kryer disa herë ekspertizën e ambienteve.

Burime jo zyrtare konfirmojnë se një kontroll i tillë është kryer dhe në apartamentin e djalit të tij Arben, ku po jeton për momentin dhe bashkëshortja e viktimës pas sekuestrimit të shtëpisë.

Copëtimi i trupit në disa pjesë prodhon një rrjedhje të madhe gjaku aq sa në çdo ambient ku të kryhet do të jetë e pamundur të eleminohen apo të pastrohen thellësisht gjurmët e tij. E kjo është hipoteza e parë që orienton hetimet e autoriteteve.

Ose viktimës i është hequr gjaku nga trupi para se të copëtohej, gjë që mund të evitonte gjurmët.

Por hetimet e para flasin se autori i krimit nuk është një ekspert killer, pasi nëse do të kërkonte zhdukjen e trupit do të shpërfytyronte së pari kokën e tij e tatuazhin në trup.

Por si koka e tatuazhi kishin mbetur të paprekura e u bënë elementët kryesorë që çuan në identifkimin e viktimës.

Një tjetër pikëpyetje e kësaj ngjarje është arma e krimit. Copëtimi i trupit është bërë në prerje neto e lineare gjë që lë të mendosh se ndoshta autori ka përdorur një sharrë. 

Por të gjitha këto mbeten hipoteza e mjaft i rëndësishëm do të jetë relacioni i mjekut ligjor pas ekzaminimit të plotë të autopsisë së trupit të copëtuar.

Kjo vrasje ka tronditur komunën e Badia Polesine e komunitetin e shqiptarëve që jetojnë në provicën e Rovigos e që orej ditësh pyesin, kush e pse e vranë pensionistin shqiptar që gjithë jetën ka punuar si emigrant murator në Itali duke i shërbyer familjes e fëmijëve?

Vijojnë hetimet për zbardhjen e motivit të vrasjes makabër

EMISIONET