Vaksina me detyrim/ Rektori Hoxha: E nevojshme, por duhej vullnetarisht

Në sallën e fakultetit ekonomik ku dikur zhvillonin seminare dhe leksione, u përkujtuan dy pedagoge dhe një studente që humbën jetën nga Covid-i.

Kujtimet për Vjollca Karapicin, Irena Bogdanin dhe Euxhena Jorgjin, përlotën të gjithë të pranishmit në sallë.

I ati i studentes Euxhena Jorgji, tregoi se vajza e tij, mori librat me vete në spital me shpresën se do tu kthehej mësimeve.

"Ajo edhe ku ndërroi jetë shkoi me libër te koka, edhe pse ishte për tjetër drejtim, ajo lexonte edhe literaturën artistike."

Përmes dhimbjes kolegët e Karapicit dhe Bogadnit nuk lanë pa përmendur  edhe rëndësinë e mbrojtjes nga koronavirusi.

"Ky armik i pabesë është ende midis nesh, është ende në shoqëri."

"Të gjithë këto fjalë të mira që ato plotësisht i meritonin, a kemi mundur t'ua themi sa ishin këtu me ne?"

Rektori i universiteti të Tiranës Artan Hoxha, tha se nuk duhej që vaksinimi të ishte bërë me detyrim për pedagogët dhe studentët pasi këto kategori duhet të ishin të parat që të jepnin shembull.

"Ne jemi njerëzit e shkencës, ne besojmë në shkencë. Nëse nuk besojmë ne në shkencë, kush tjetër do besojë?"

Jashtë ambienteve të fakulteti të ekonomikut, u mbollën tre ullinj për të kujtuar gjithmonë ato që dekani i fakultetit i konsideroi anëtare të familjes së madhe.

Pranë fakulteti të ekonomikut është vendosur pika e vaksinimit për të gjithë studentët dhe pedagogët që duan të marrin dozën anti-Covid, ndërkohë rreth 90 % e pedagogëve i janë nënshtruar këtij procesi deri tani.

EMISIONET