UKT braktis punimet, banorët: E kanë lënë si varr të hapur!

Banorët e Lanabregasit hasen çdo ditë me rrugët e dëmtuara si pasojë e punimeve të UKT, e cila i ka lënë këto të fundit përgjysmë. Ata ngrenë shqetësimin e përditshëm teksa apelojnë për rregullimin e saj sa më shpejt.

Rruga e cila të çon në Lanabregas deri në qendër të saj e që më pas të lidh me malin e Dajtit afro 6 kilometra është e dëmtuar plotësisht.

Punimet e Ujësjellës Kanalizimeve që kanë nisur muaj më parë janë kthyer në një shqetësim serioz.

Punonjësit erdhën këtu, hapën gropat, i mbushën me zhavor dhe ikën.

Sa herë bie shi rruga mbushet me pellgje.

"Tymi na mbyti, tani lagështira. Kam makinë në shtëpi dhe nuk dal me të vetëm nga gropat."

Ata që jetojnë këtu e që kalojnë çdo ditë në të theksojnë edhe mungesën e sigurisë.

"Po bëhet nami, një muaj që e kanë hapur dhe nuk marrin asnjë masë me stabilizu zonën. I shmangesh gropës dhe shkon dhe i bie tjetrit. Këtu rrugët e ngushta janë.Katrahurë."

Ndërsa për këmbësorët ska asnjë milimetër trotuar.

"Shqetësim më të madh nuk ka si për makinat, si këmbësorët. Nuk kemi as trotuar në rrugë."

Banorët kanë apeluar që autoritetet të përmbushin detyrimet ligjore për të ofruar shërbimin më minimal, atë të qarkullimit rrugor.

"Kur merr lekë duhet ta mbyllësh. E bërë dëmin rikuperoje dhe jo ta lësh si varr."

"Është si gropë e hapur, e ke futur tjetrin në dhe dhe se ke mbuluar akoma. Ku të shkojë më keq?!"

EMISIONET