Jeta mbi bodrumet me fekale tek "Varri i Bamit" në Tiranë

Një grup pallatesh në lagjen e njohur si Varri i Bamit në kryeqytet po përballen me një situatë ndotje alarmante për shkak të dëmtimit të tubacioneve të ujërave të zeza. Bodrumet e godinave të banimit janë të mbushur me fekale teksa era e padurueshme dhe mushkonjat po u vështirësojnë qëndrimin në shtëpi. Qytetarët thonë se do të nisin protestat nëse bashkia nuk ndërhyn.

“Ndodhemi në pallatin 575/2 aty ku banorët ngrenë alarmin për gjendjen në bodrumin ku janë te vendosura edhe depozitat. Është në fakt e pamundur të qëndrosh këtu pa maskë. “

Në lagjen e njohur si “Varri i Bamit” një grup pallatesh kanë të njëjtën problematikë. Tubacionet e ujërave të zeza janë çarë duke ndotur katin nëntokë.

Banorët kanë parë si zgjidhje izolimin e derës por kjo nuk i ka shpëtuar nga era e rëndë.

“Këtë dritare që është e lidhur me bodrumin vetë banorët janë munduar ta mbyllin për te shmangur aromën e keqe.”

“Ndërsa këtu ndodhemi në pallatin 575, ky është çelësi i cili hap bodrumin në të cilin po njësoj ështe shkaktuar një gjendje alarmante.”

Kërkesat e banorëve nuk janë marrë parasysh.

“Kjo ka shumë vite që është shqetësuese. I njoftojmë institucionet, vijnë i boshatisin por brenda një kohe të shkurtër mbushen prapë. Nuk është zgjidhja vetëm kjo, duhet gjetur burimi pse mbushen. Kur mbushen me ujë ata kanë erë të keqe, ka dhe mushkonja, shqetëson gjithë pallatin. Nuk hapim dot dritaret e shtëpive. Na janë mërzitur shtëpitë.”

Thonë se e kanë të pamundur të hapin dyer e dritaret e shtëpive.

“Kjo gjendje është alarmante sepse këto janë mbush plotë, janë çarë tubat dhe nuk kujdesohet njeri për këtu, prandaj na ndihmoni. Ata punonjësit duan dhe rrogë ditore e mujore, e me ato nuk merrem vesh. I kam marrë dy tre herë i kam marrë e s’kanë bërë punë. Mushkonjat na mbytën.”

Me dhjetëra familje përballen çdo ditë me këtë gjendje. Deri më tani askush nuk është interesuar të riparojë tubacionet, të cilat janë shkaktari kryesor i kësaj situate.

“Nuk hapim dot derën se vjen era e qelbët. Na mbytën mushkonjat nuk flemë dot gjumë. Edhe lagështira nga uji. Në ballkon nuk dal dot se vjen era e qelbët. Janë çarë gjithë tubat."

Qytetarët thonë se do të ngrihen në protesta nëse nuk do të merren masa nga bashkia e Tiranës.

Jeta mbi bodrumet me fekale tek "Varri i Bamit" në Tiranë

EMISIONET