Udhëtimi surprizë që përfundoi në aksidentin tragjik në Rrogozhinë, Historia e 27 vjeçarit që jetonte në Itali dhe erdhi të pushonte me familjarët
“Festim Meçja, ndodhej vetëm pak kilomentra larg banesës së tij në Sinaballaj të Rrogozhinës. Kishte udhëtuar me qindra të tjera për të marrë pjesë në dy gëzime familjare, martonte dy të afërm brenda fisit, dhe nuk kishte vënë njeri në dijeni për ardhjen e tij pas një viti në Atdhe. Donte t'u shfaqej surprizë, por ndodhi dramatikisht jo në atë formë që e kishte menduar ai, por në më tragjiken e mundshme”
Gazetari Fatjon Gjinaj i Syri TV zbulon detaje nga historia që fshihet pas aksidentit tragjik të ndodhur dje në mesditë (4 gusht 2022) në aksin Rrogozhinë – Elbasan.
27 vjeçari i cili jetonte në Parma të Italisë erdhi në Shqipëri për të kaluar pushimet me të afërmit e tij.
Një parakalim i gabuar dhe humbje e kontrollit të mjetit nga ana e 27-vjeçarit, thonë paraprakisht ekspertët.
"Vëllai i tij në të njëjtin shtet, por në qytete të ndryshme, në përpjekje të rimëkëmbjes së familjes me njëmijë e një halle, me nënën që e kishte përballur fati me probleme shëndetësore, motrën që duhej të ndiqte studimet, e krah babait që e shkoi jetën duke u munduar diç' të nxirrte në dritë me aq sa mundej përqark fshatit. Të katërt i la pa frymë sot. Festi, siç e thërrisnin ata, nuk mbërriti i gjallë drejt krahëve të tyre.
Në fshatin që përgatitej për dasma, ra një perde e zezë, pas disa orësh që kur se ndodhi aksidenti dhe u mësua emri i tij. Një fshat që si në shumë të tillë të vendit, në këtë stinë presin t'i bëjnë vajzat nuse e djemtë dhëndurë... Festimi, si i tillë është veshur këtë mbrëmje" shkruan gazetari
Makina me të cilën udhëtonte 27-vjeçari, rezultonte në emër të një biznesmeni nga Durrësi, i cili ia kishte dhënë me qira Festimit, sapo kishte zbritur nga trageti i ardhur nga brigjet italiane.