U merrte ryshfet qytetarëve, arrestohet mjeku i “Traumës”, policia u fut e infiltruar si pacient

Një mjek i spitalit të Traumës është vënë në pranga me dyshimin se kërkonte ryshfet për të ushtruar detyrën e tij.

Bëhet fjalë për mjekun anestezist Fitim Marku për arrestimin e të cilit këtë të premte janë angazhuar efektivët e Operacionales.

Sipas të dhënave, kanë qenë denoncimet e shumta të mbërritura në polici për këtë mjek që merrte para.

Policia ka organizuar punën duke infiltruar një oficer policie si pacient.

Teksa i infiltruari është afruar pranë spitalit ka rënë në kontakt me mjekun ku për shërbimin i ka kërkuar një shumë parash.

Sapo mjeku anestezist ka marrë paratë kanë ndërhyrë uniformat blu, të cilat i kanë hequr lekët nga dora dhe i kanë vendosur prangat.

"Sot më datë 23.09.22, pas një pune hetimore disa javore me metoda speciale të hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua operacionit policor ‘Skaneri’. Nga veprimet hetimore të kryera për llogari të procedimit penal nr.6013, viti 2022, u kap në flagrancë dhe u bë shoqërimi në ambientet e drejtorisë vendore të policisë Tiranë, i shtetasve të mëposhtëm:  F.M., me profesion mjek reanimator;  K.B. me detyrë infermiere; dhe S. B., me detyrë mjeke. Nga hetimet e kryera deri më tani, rezultonte se këto shtetas, merrnin shuma të konsiderueshme parash nga pacientë të ndrydhëm për kryerjen e skanerave pranë Spitalit të Traumës në Tiranë." - njofton policia. 

Në spital kanë qëndruar për disa minuta oficerët e policisë, të cilët kanë kryer kontrolle në zyrën e mjekut por edhe në spital.

Hetimet vazhdojnë për dokumentimin e veprimeve të tjera të kryera edhe nga personel tjetër mjekësor i përfshirë në këtë skemë korrupsioni.

Reagon Trauma

Për ngjarjen ka reguar zyrtarisht dhe Spitali Universitar i Traumës i cili inkurajon organet e drejtësisë të çojnë deri në fund hetimin dhe zbardhjen e të vërtetës për të vënë para përgjegjësisë këdo që përfshihet në veprime të kundërligjshme përkundrejt shërbimit që ofrohet për qytetarët.

"Raste të tilla nuk duhet të përkthehen në njollosjen e të gjitha bluzave të bardha, mjekëve dhe infermierëve, të cilët e kryejnë me përkushtim dhe korrektesë punën e tyre çdo ditë në shërbim të pacientëve. Garantojmë qytetarët se, në Spitalin Universitar të Traumës nuk u ndërpre dhe nuk do të ndërpritet në asnjë moment shërbimi për këdo që ka nevojë për kujdes mjekësor" thuhet në reagim.

EMISIONET