U kapën me armë gjatë operacionit “Metamorfoza”, dënohen me 2 vite burgim Foljeta dhe Troshani, dy “ushtarët” e Behar Bajrit
Nehat Foljeta dhe Sabjan Troshani, dy nga personat e arrestuar gjatë operacionit “Metamorfoza” në Shkodër, janë dënuar nga gjykata e këtij qyteti me dy vite burgim për “Mbajtje pa lejë të armëve të zjarrit dhe municionit.
Për secilin prej tyre Gjykata e Shkodrës ka dhënë një dënim prej 3 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar Foljeta dhe Troshani, janë dënuar përfundimisht me 2 vite burg secili.
Dy personat janë pjesë e grupit të Behar Bajrit, dhe janë ndaluar nga RENEA gjatë momentit të kryerjes së operacionit “Metamorfoza” në Shkodër në muajin Korrik 2023.
Troshani dhe Foljeta, janë hetuar fillimisht nga SPAK, por për shkak se prokurorët nuk konstatuan se ata kanë përdorur aplikacionin “Sky” apo të ishin përfshirë në ngjarje kriminale, çështja kundër tyre në muajin dhjetor 2023 është transferuar për hetime të mëtejshme në prokurorinë e Shkodrës.
Kjo prokurori duke marë aktet hetimore të gatshme nga SPAK, ka ngritur akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municionit” ndaj Troshanit dhe Foljetës, duke çuar çështjen kundër tyre në gjykatë.
Tashmë dy ushtarët e Behar Bajrit, janë dënuar me dy vite burg secili për pistoletat e kapura nga RENEA, ndërkohë personat e tjerë si Behar Bajri e të tjerë janë marë të pandehur nga SPAK dhe çështja është dërguar në gjykatë.