Detaje të reja nga vrasja e 25 vjeçarit në Korçë, viktima dhe autorët qëndruan për 4 ditë bashkë në hotel

Detaje të reja janë mësuar nga hetimi për vrasjen e Fridman Xhaferraj. 25- vjeçari nga Lushnja dhe dy autorët e dyshuar tashmë në kërkim  mësohet se qëndruan bashkë për katër ditë në qytetin juglindor, para se të humbnin gjurmët.

25-vjeçari nga Lushnja Fridman Xhaferraj që u gjet i vdekur në rezervuarin e Gjançit në Korçë qëndroi katër ditë me personat që dyshohet se e vranë.

Një kartëvizitë në xhepin e pantallonave të viktimës po ndihmon prokurorinë e Korçës të dokumentojë krimin.

Burimet thanë se më datë 24 maj, Fridman Xhaferraj dhe Lulzim Spahia, tashmë në kërkim si vrasës i dyshuar, janë takuar në qytetin e Elbasanit.

Ata kanë udhëtuar drejt Korçës ku rezulton se datat 25-26 dhe 27 maj, kanë qëndruar në një hotel në periferi të Korçës.

Bashkë edhe me një person tjetër, i moshuar dhe ende i paidentifikuar nga policia.

Në të njëjtin hotel sipas verifikimeve rezulton se ka qëndruar edhe 26 vjeçari me iniciale K.B i shpallur po ashtu në kërkim si autor i vrasjes.

Ekspertiza tregoi se 25 vjeçari kishte një të çarë rreth 5 cm në kokë, plagë që dyshohet se është shkaktuar nga goditje me mjet të mprehtë.

Gjurmët e Fridman Xhaferraj në Korçë humbin më datë 27 Maj, çka ngre dyshime se ajo mund të jetë edhe dita e vrasjes së tij.

Trupi i pajetë u zbulua të dielën, më datë 13 Qershor.

Nga 27 maj nuk ka asnjë gjurmë edhe nga 26 vjeçari dhe Lulzim Spahia që dyshohet se mund të kenë lidhje me krimin.

Spahia, rezulton se ishte shpallur në kërkim në Durrës më 21 prill me akuzën e prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike, në të njëjtën ditë që Fridman Xhaferraj u la me arrest shtëpie nga Gjykata e Lushnjës për djegien e tre makinave.

Për shkak të këtyre fakteve, ka dyshime të forta se udhëtimi drejt Korçës dhe vrasja e 25 vjeçarit Fridman Xhaferraj mund të jetë pasojë e konflikteve për çështje të drogës.

EMISIONET