"Turpi" ndodh në Lushnjë/ Gjyqtarja burgos shqiptaro-amerikanin se i tha në gjyq: “Je e korruptuar!”

"Turpi" ndodh në Lushnjë/ Gjyqtarja burgos

Një arrestim i paprecedentë ka ndodhur nga prokuroria e Fierit, ku një 63-vjeçar shqiptaro-amerikan nga Saranda është futur në burg, vetëm se i tha gjyqtares në sallën e gjyqit e korruptuar.

Jorgji Kore, me profesion inxhinier aktualisht ndodhet në burg, vetëm se guxoi ta quajë gjyqtaren e çështjes së tij administrative, të korruptuar.

“Ora News” ka mësuar se Kore është përfshirë në një proces gjyqësor administrativ në Gjykatën e Lushnjës, duke kundërshtuar një praktikë të paligjshme të ALUIZNI-t.

Kërkesë padia e tij e depozituar në gjykatë është rrëzuar nga gjyqtarja Ina Bajramaj.

Por teksa gjyqtarja ka përfunduar shpalljen e vendimit, në ambientet e sallës së gjyqit Jorgji Kore, i është drejtuar gjyqtares Bajramaj me fjalët që “...je e korruptuar...”.

Kaq ka mjaftuar që Ina Bajramaj të depozitojë në polici një kallëzim penal, duke pretenduar se Jorgji Kore e ka “Kundërshtuar dhe goditur gjyqtaren”.

Mbi bazën e këtij kallëzimi policia ka bërë shoqërimin me iniciativë të shqiptaro-amerikanit Kore dhe më pas e ka liruar atë. Por aktet hetimore dhe kallëzimin e gjyqtares Ina Bajramaj, e ka referuar për vlerësim në prokurorinë e Fierit.

Kjo prokurori ka vlerësuar vetëm mbi aktet e sjella nga policia dhe kallëzimi i gjyqtares, duke ju drejtuar gjykatës së Fierit me një kërkesë për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “Kundërshtimit dhe Goditjes së gjyqtarit”.

Kërkesa e prokurorisë është pranuar dhe vendimi për burgosjen e inxhinierit shqiptaro-amerikan është marrë në 15 Prill nga gjyqtari i Fierit, Nertil Dushku.

Të kontaktuar nga “Ora News”, familjarët e Jorxhi Kores pretendojnë se kryefamiljari i tyre nuk ka goditur asnjë sekondë gjyqtaren Ina Brahimaj, por vetëm i ka folur duke i pohuar se “....është e korruptuar...”.

Lidhur më këtë çështje është kontaktuar dhe prokuroria e Fierit, përfaqësuesi i të cilës tha se rasti është duke u ndjekur dhe gjatë kësaj faze të hetimit është kërkuar sekuestrimi i pamjeve filmike të seancës gjyqësore, sekuestrimi audios së seancës dhe proces-verbali i seancës gjyqësore, për të mësuar se çfarë ka ndodhur realisht në atë seancë, ku gjyqtarja Ina Bajramaj pretendon se është kërcënuar dhe goditur nga paditësi, Jorgji Kore.

Mirëpo derisa të sqarohen rrethanat e këtij fakti, shqiptaro-amerikani Kore do vijojë të qëndrojë në burg, vetëm pse një gjyqtare e administratives në Lushnjë, vendosi ti bëjë kallëzim penal në polici.

EMISIONET