Tre orë në MAS/ Pedagogët nuk bindin Kushin: Ministrja e quan hata rritjen e pagës me 180 euro
Asnjë qindarkë më tepër për pedagogët ka vendosur ministrja e Arsimit Evis Kushi edhe pas takimit prej tre orësh me palëve.
"Koncepti i Ministrisë është psh që 180 euro është hataja, është një rritje e jashtëzakonshme. Ne se kemi këtë koncept. 180-200 euro është tallje, por ajo thotë nuk arrihet dot. Kemi koncepte të ndryshme mbi vlerën e lekut."
Pedagogët i kanë cilësuar kërkesat e tyre minimaliste, ndërsa nga ana e Ministres janë të tepërta.
"Në kërkesat tona kemi qenë minimalistë megjithëse Ministria pretendon se janë kërkesa të ekzagjeruara. Në lidhje me kërkesat e tjera që kanë qenë thelbësore për Profesoratin, ato quhen të parealizuara dhe të papremtuara".
Në protestën e datës 15 shtator pedagogët paralajmëruan se do të bojkotojnë nisjen e vitit akademik nëse nuk u plotësohen kërkesat. 5 tetori është data e protestës së radhës.
"5 tetori nuk anulohet, ajo vazhdon. Do ti artikulojmë dhe më me forcë këto kërkesa të qenësishme dhe minimaliste."
Ndërkohë Ministrja e Arsimit ka zgjedhur të reagojë përmes një postimi në facebook, e cila ka interpretuar ndryshe takimin me pedagogët, ku thekson se përveç rritjes së pagës kërkesat e tjera janë të hapura për diskutim e do të plotësohen.