Tenderi/ Mallakastra zgjedh operatorin 120 mijë euro më të shtrenjtë

Ndodh që institucionet të skualifikojnë të gjithë pjesëmarrësit për kriteret, por ndodh edhe të përjashtohen për arsye se kanë dhënë ofertë të ulët. Një rast i tillë shfaqet në Mallakastër, ku fituesi ka kërkuar të paktën 120 mijë euro më shumë se operatori më i lirë.

Në listën e institucioneve që përjashtojnë nga gara kompanitë që japin vlerën më të ulët për të kryer punimet përfshihet edhe bashkia e Mallakastrës. Për prokurimin e rikonstruksionit të rrugëve në fshatrat Dukas, Visokë, Greshicë, Mollaj fitues është shpallur “SALILLARI” që mes 9 operatorëve të tjerë ka kërkuar rreth 107 milionë lekë ose rreth 900 mijë euro për të kryer punimet.

Në fakt janë dhe katër operatorë të tjerë që kanë paraqitur një ofertë shumë më të ulët se ai por nga autoriteti kontraktues janë skualifikuar. 
Madje bëhet fjalë për një kursim që do ti bëhej buxhetit të shtetit deri në 120 mijë euro. Në një nga argumentet bashkia e Mallakastrës ka renditur ofertën anomalisht të ulët, duke nënkuptuar se nuk kishte garanci se çmimet e ofruara ishin reale.

Dhe këtë e ka llogaritur duke krahasuar ofertat e 6 kompanive të mbetura në garë që dukshëm janë të larta. Kështu pasi ka bërë një mesatare të ofertave autoriteti ka vënë re se çmimi i kompanisë që ka kërkuar më pak para se të tjerat ka qenë më pak se 85 për qind e mesatares.

Nga ana tjetër edhe 3 kompanitë e tjera janë konsideruar me probleme të kritereve, argument ky që ka vënë shpesh në pikëpyetje sjelljen e institucioneve për të kufizuar dhe konkurrencën në prokurimet publike.

EMISIONET