Tenderi i policisë Elbasan/ Fiton bashkimi i kompanive, skualifikohen 6 konkurrentë

Një bashkim kompanish ka fituar tenderin për ndërtimin e godinës së re të komisariatit dhe drejtorisë së policisë së Elbasanit. Fondi i vendosur në dispozicion për këtë tender është 3 miliard e 232 milionë lekë ndërkohë që 6 konkurrentë janë skualifikuar nga gara.

Bashkimi i Operatorëve “Zdravo” dhe “Bajrami N“, dy kompani me pronarë nga qyteti i Lushnjes dhe Elbasanit, janë shpallur fitues për ndërtimin dhe rikonstruksionin e 16 godinave të komisariatit dhe Drejtorisë së policisë Qendrore në Elbasan.

Këto dy firma kanë fituar përballë 6 konkurrentëve të tjerë, me një ofertë financiare prej 3 miliard e  232 milion lekë të vjetra, vlerë kjo e miratuar tashmë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pranë Policisë së Shtetit.

“Ora News” mëson se „Bajrami N“, administrohet nga biznesmeni nga Elbasani, Nazif Bajrami. pronari i kësaj kompanie fituese është bashkëshorti i Anduena Bajramit, ish-nënkryetares së Bashkisë së këtij qyteti. Ndërsa firma „Zdravo“, rezulton të jetë në pronësi të Faik Sinanaj, Dashnor Sinanaj, Kastriot Sinanaj, Ylli Zdrava dhe Arben Zdrava. Në këtë tender me vlerë të përgjithshme prej 3 miliard e 407 milion lekë të vjetra, u skualifikuan nga KVO-ja e ngritur në Policinë e Shtetit, kompanitë „4A-M“, „Alba Konstruksion“, Bashkimi i Operatorëve, „Aurora Konstruksion“, „Lala“ dhe „Rafaelo“.

Po ashtu të skualifikuar e panë veten edhe kompanitë „Hastoçi“ dhe „Shansi Invest“. Mes firmave të skualifikuara ishte dhe kompania e ndërtimit „Rafin Company“ dhe „Ndregjoni“, pronar i së cilës është Xhetan Ndregjoni, daja i Endi Dumanit, i cili u arrit të nxirej nga Gledis Nano, prej kampit të refugjatëve „Al-Hol“ në Siri. Drejtoria e Policisë Elbasan, është një nga zyrat me ngarkesë pune për shkak të numrit të popullsisë dhe intensitetit të ngjarjeve në qark.

Drejtoria e Policisë Elbasan, pas asaj të Tiranës, rezulton të jetë nga drejtoritë më të mëdha të vendit, duke pasur një shtrirje Gjeografike në komisariatin e Elbasanit, Peqinit, Cërrikut, Belshit, Gramshit, Librazhdit dhe Prrenjasit. Rikonstruksioni i plotë i saj, do kryhet në të gjitha godinat ekzistuese, që janë në total 16 objekte, të cilat ndodhen brenda rrethimit me sipërfaqe prej 6659 metra katror. Deri në këtë fazë, kur ende nuk kanë nisur punimet, mbetet e paqartë, se në cilat ambiente do zhvendoset administrata dhe strukturat e tjera hetimore të kësaj drejtorie.

Një variant që po diskutohet në këto momente është marrja e hapësirave të tjera me qira. Ndërsa varianti i dytë është transferimi në godinat të tjera, por kjo do sillte mbingarkesën e burimeve njerëzore në hapësira shumë të vogla.

EMISIONET