Temperaturat deri në -18°C, Çako: Rrugët nacionale të kalueshme, disa zona probleme me energjinë elektrike

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka treguar se si paraqitet situata e krijuar për shkak të kushteve atmosferike në vendin tonë.

Në një lidhje të drejtpërdrejt për Ora News, me gazetarin Arnold Kariqi, është shprehur se rrugët nacionale janë të hapura, ndërsa rrugët e ndërmjetme janë të aksesueshme me zinxhirë.

Haki Çako: Temperaturat kanë zbritur në nivelet ekstreme minus, në Qafë  Thore, në Theth është regjistruar temperatura ekstreme -18 gradë, sikurse edhe në zonat e thella të Kalasë së Dodës dhe pjesë të tjera të qarkut të Dibrës. Situata është normale pavarësisht vështirësive që kanë zonat e thella rurale. Rrugët nacionale janë të hapura, ndërsa rrugët e ndërmjetme janë  të aksesueshme me zinxhirë. Është e domosdoshme që drejtuesit e automjeteve të mos lëvizin me goma të papërshtatshme.

Ai tha se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve për çdo nevojë që kanë.

Haki Çako: Jemi në gatishmëri të plotë në të gjitha strukturat dhe institucionet për t’I ardhur në ndihmë  çdo nevoje që kanë qytetarët, qoftë për të mundësuar shërbimet shëndetësore, apo shërbimet e tjera. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve që  t’i adresojnë problemet dhe nevojat e tyre, për çdo problematikë që do të kenë. 

Ndër të tjera ai tha se në disa zona ka probleme me energjinë elektrike.

Haki Çako: Janë disa zona të thella që për shkak të temperaturave ekstreme kanë krijuar probleme në energjinë elektrike, ku mund të përmendim zonës së kalasë së Dodës, apo një pjesë të fshatrave të tjera të Librazhdit. Janë marrë masat për të gjitha zonat që kanë nevojë.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është institucion që bën koordinimin, Bashkëpunimin, me prefekturat me bashkitë, me ministritë, me forcat e armatosura, me policinë e shtetit, dhe të gjithë strukturat që janë të detyruara të reagojnë në kohë për të zgjidhur çdo problem.

Përsa i përket situatës së turizimit ai tha se ka pasus turistë, qoftë në Theth apo në zona të tjera me prezencë dëbore.

EMISIONET