Të vritesh në urdhër mbrojtje, s'funksionon mbikqyrja e policisë pas vendimeve të gjykatave

Rastet e përsëritura të krimeve në familje kanë nxjerrë në pah shumë mangësi në funksionimin e urdhrave të mbrojtjes. Sipas shifrave të policisë, vetëm në 8 muaj u lëshuan 2205 të tilla, ku kryesisht janë gratë dhe vajzat që ankohen për dhunë nga bashkëshortët ose të afërmit. Ligji ngarkon policinë të mbikqyrë zbatimin e këtyre urdhrave, por kjo nuk ka funksionuar në rastet e shumë grave të ekzekutuara.

Dhjetë gra dhe vajza u vranë nga bashkëshortët dhe familjarët në 8 muajt e parë të vitit 2021.

Shumë prej tyre kishin denoncuar dhunën në polici, ndërkohë që ishin pajisur më urdhër mbrojtje.

Sipas të dhënave nga policia, nga 1 Janari deri me 31 Gusht nga policia janë evidentuar 3563 raste të dhunës, nga të cilët për 2205 janë lëshuar urdhër mbrojtje.

Avokati, Erjon Kullolli, thotë se shkaqe më të shpeshta të urdhrave të mbrojtjes janë aktet e dhunës pas debateve për papunësinë dhe problemet ekonomike.

"Duhen luftuar shkaktarët që sjellin konfliktet në familje, shkaktarët që sjellin arsyen që një paditëse ose një paditës të kërkojnë urdhrin e mbrojtjes. Që janë faktorët ekonomikë, xhelozia dhe shumë fenimene të tjera, probleme që ka shoqëria shqiptare."

Në 10 rastet e ndodhura për për këtë vit, 3 të tilla u regjistruan në Shkodër, 2 në Elbasan, 2 në Fier dhe nga 1 rast në Lezhë, Durrës, dhe Tiranë.

Për sa i përket kryeqytetit, vetëm në 8 muaj janë dhënë 646 urdhëra mbrojtje.

Ligji përcakton se urdhëri i mbrojtjes duhet të lëshohet me vendim gjykate, ndërsa Policia e Shtetit mbikqyr zbatimin e tij.

Pavarësisht këtij përcaktimi ligjor, duket se policia është enekzistente në mbikqyrjen e këtyre rasteve.

EMISIONET