Të fortët futen në izolim, Manja: Do të vendosen në 41 Bis për t'i shkëputur nga ushtarët jashtë

Burgosja e të ashtuquajturve të të fortëve të krimit nuk ka ndaluar aktivitetet e tyre të paligjshme. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, paralajmëron futjen e të dënuarve të tjerë në regjimin 41 Bis, duke i izoluar kështu nga çdo formë komunikimi. Sipas tij në këtë mënyrë do të shkëputetet lidhja e tyre me ushtarët që kanë jashtë.

Për të shmangur që burgjet të kthehen në pikë kontakti për aktivitetet e paligjshme, Ministria e Drejtësisë ka vendosur që disa persona të tjerë me rrezikshmëri të lartë duhet të izolohen në sistemim 41 Bis.

Këtë paralajmërim e dha vetë ministri Ulsi Manja, gjatë takimit me përfaqësuesit e OSBE-së dhe Avokatit të Popullit, si e vetmja mundësi për të shkëputur zinxhirin e krimit të organizuar.

"Vetëm në muajin nëntor kemi vendosur katër eksponentë të krimit të organizuar në regjim të posaçëm dhe jemi në proces me agjencitë e tjera ligjzbatuese që këtij regjimi nisur nga rrezikshmëria shoqërore dhe aktiviteti i tyre kriminal mund ti nënshtrohen edhe të tjerë të dënuar dhe të paraburgosur. Duke shmangur kontaktet mes eksponentëve tepër të rrezikshëm të burgosur dhe ushtarëve të lirë të krimit të organizuar ose anëtarëve të familjes së tyre që mund të çojnë përpara veprimtarinë e tyre kriminale".

Me kërkesës të OSBE-së dhe Avokatit të Popullit, Ulsi Manja i kërkoi policisë së burgjeve që të jenë vigjilentë, por duke mos ju shkelur të drejtat e njeriut.

"Siç e thashë, duhet të kemi në konsideratë që ky instrument nuk është një mjet ndëshkimi për këto të burgosur, por është masë parandaluese për kryerjen e krimeve të tjera. Dhe kjo duhet të kuptohet më së miri dhe më së pari, nga stafi i policisë së burgjeve. Stafi i policisë së burgjeve ka një detyrë të vështirë, nga njëra anë duhet të parandalojë kontaktet e paligjshme kriminale të kësaj kategorie me botën e jashtme, por nga ana tjetër i duhen siguruar këtyre të burgosurve të drejtat që i mundësojnë rehabilitimin dhe riintegrimin e mëvonshëm të këtij personi në shoqëri. Vigjilencë maksimale si e vetmja rrugë për të realizuar detyrën".

Në regjimin 41 Biss, që ministri i Drejtësisë e quan të suksesshëm, janë izoluar Aleksandër Llanaj, Fatmir Pjetri, Redjan Rrahja, Arbër Çekaj, Arbjon Aliko, Emiljano Shullazi, Endrit Qyqja dhe Genci Balla.

EMISIONET