Takimi Rama-Vuçiç-Zaev/ Nurellari: Shpërthimet emocionale të Ramës ndaj BE, të pa arsyeshme

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Politologu  Adri Nurellari, ka komentuar takimin online që zhvilloi Kryeministri Edi Rama së bashku me Kryeministrin  e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç , ku u diskutua për përgatitjet e Forumit Ekonomik që do të zhvillohet më 29 korrik.

Sipas tij, projekti i Mini-Shengenit është një përpjekje për të vënë para presionit dhe para përgjegjësisë morale Bashkimin Evropian.

Ndër të tjera ai është shprehur se gjuha që përdor Kryeministri Edi Rama, ndaj BE nuk është e arsyeshme, dhe sipas tij është një faktor që ndikon edhe në procesin e Integrimit evropian.

“Nënkuptohet një iniciativë trepalëshe për të krijuar një lloj grupimi të ri të ngjashëm me atë që ka ndodhur dikur në Evropën Qendrore, përpara se të hynin në BE.

Ky lloj intensifikimi duket si një lloj përpjekje për ta vënë para presionit edhe BE, i cili vitet e fundit gjithmonë e më tepër është karakterizuar nga tendenca euro-skeptike dhe ka qenë indiferente ndaj integrimit evropian, ndaj përfshirjes së vendeve të reja anëtare dhe dihet gjithashtu se një nga kriteret për të hyrë në BE është konsuludimi i raporteve me vendet e rajonit. Ky lloj bashkëpunimi rajonal është konsideruar në të kaluarën si një lloj paradhome për të hyrë në BE.

Është një lloj iniciative e Tiranës, Shkupit dhe Beogradit t’i vënë zyrtarët e BE por edhe vendet anëtare para përgjegjësisë morale. Kjo është strategji, qoftë me projektin e Mini-Shengenit, qoftë me konsolidimi, zgjerimi të raporteve mes këtyre shteteve. Përsa i përket përzgjedhjes së fjalëve është eufemizëm.  Kanë dashur të largohen prej stigmatizimit të Ballkanit sepse Ballkani prej vitesh ka marrë edhe një damkë, është krijuar si një lloj njolle e mirëfilltë. Nuk e di nëse është arsyeshme që Kryeministri të ketë ato shpërthime emocionale të tipit, kjo e ka fajin."

Sipas tij përgjegjësia  e vetme në vonimin e procesit të integrimit evropian në BE është elita politika, e në veçanti Kryeministri Rama.

"Veprime të tilla më duken të papërgjegjshme duke ditur që Shqipëria ka përgjegjësitë e veta shumë të mëdha dhe në rrjedhën e viteve ka ecur shumë ngadalë për të hyrë në BE, duke u anashkaluar nga vendet e tjera të cilat e kanë nisur shumë më vonë procesin por tashmë janë shumë afër binishit. Në këtë aspekt përgjegjësia është e gjitha e elitës politike në përgjithësi, por e Kryeministrit Rama në veçanti, i cili kur ishte lider i opozitës bllokoi tre ligjet që e vonuan katër vjet marrjen e statusit të kandidatit dhe këto 8 vjet nuk ka qenë i aftë të krijojë një klimë të përshtatshme të mirëkuptimit të frymës institucionale me opozitën.

Agresivimi ka ardhur edhe si pasojë e provokimeve sulmeve dhe poshtërimi të skajshëm që Kryeministri i ka bërë opozitës dhe liderit të opozitës. Në njëfarë mënyre e vendosi opozitën me shpatulla pas muri. Fatura e vonesës për të hapur negociatat vjen edhe si pasojë e saj, ku përgjegjësi kryesor është vet Zoti Kryeministri. Në këtë aspekt janë të pandershme dhe jo të arsyeshme këto deklaratat e Kryeministrit"

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini.

EMISIONET