Tabaku kundër fashës për energjinë: S'mund të lejojmë që edhe kriza të përdoret për të bërë biznes

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përsëriti qëndrimin kundër fashës së energjisë të vendosur nga qeveria Rama.

Ashtu si në mbledhjen e Bordit të ERE, edhe jashtë saj, Tabaku  tha se çmimi i vendosur është i imponuar nga qeveria dhe i pajustifikueshëm.

Sipas saj, asnjë qeveri nuk rrit taksat në periudhë krize.

Tabaku: Bashkë me kolegët ishim në mbledhjet e ERE dhe shpresoj të ketë pasur transparencë për publikun. Kërkuam disa element që bordi t’i marrë parasysh. Ky është një çmim i imponuar nga qeveria. Rritja e çmimit nuk e justifikon rritjen në tregjet ndërkombëtare.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve shkon për operatorët privatë. I kërkuam ERE-s të ketë interesin parësor atë të të qytetarit. Të mos harrojmë që pak muaj më parë që çmimi i energjisë elektrike është rritur edhe për bizneset. Një rritje çmimesh në periudha të ndryshme kohore. Që ka sjellë rritje të varfërisë. Po reflektohet gjithmonë e më shumë në jetën e përditshme. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, rritja e taksave dhe mos rritja e pagave kanë krijuar ngërç në ekonominë shqiptare.

Asnjë qeveri në botë nuk rrit taksat në periudhë krize. Vetëm qeveria shqiptare po e bën këtë. Është e pajustifikueshme rritja e çmimeve për këtë kategori qytetarësh. Janë shtresa e mesme që kanë shpenzime të tjera të rritura. ERE dhe qeveria shqiptare duke të kenë të parin interesin e familjeve shqiptare. Qeveria shqiptare duhet të diversifikojë energjinë e përdorur.

Nga ana tjetër ajo kërkoi transparencë për hetimin e shpenzimeve të të gjithë operatorëve në sektorin elektro-energjetik.

Tabaku tha se dosjet në SPAK për abuzimin me energjinë duhet të ishin objekt hetimi i të gjitha instancave qeveritare.

Deputetja demokrate nënvizoi se nuk mund të lejojmë që edhe kriza të përdoret për të bërë biznes.

Enti Rregullator i Energjisë e miratoi vendosjen e fashës deri në 800 kWH, shifër mbi të cilën do të paguhet tjetër çmim.

Kështu konsumatorët familjarë që do ta kalojnë këtë vlerë nuk do ta paguajnë tashmë energjinë me 9.5 lekë, por me 42 lekë për kilovat.

EMISIONET