Studenti i magjistraturës i arrestuar, bordi i shkollës e KLGJ nisin verifikimet për gjyqtarin e ri Elis Dine

Studenti i magjistraturës i arrestuar, bordi i shkollës e KLGJ nisin

Një ditë pas publikimit të skandalit në “Ora News”, se studenti i shkollës së Magjistraturës në profilin gjyqtar, Elis Dine, rezultonte i arrestuar në vitin 2013 për akuzën e “Përndjekjes” dhe “Heqjes së paligjshme të lirisë”, ka ardhur dhe reagimi i institucioneve.

Me rastin e denoncuar, tashmë ka nisur verifikimet konsultative Bordi Drejtues i Shkollës së Magjistraturës dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Këto institucione kanë marrë më parë ankesa dhe materiale komprometuese për studentin, Elis Dine, por deri në këtë fazë ende nuk kanë dalë me një vendimmarrje për përjashtimin ose jo të tij, nga radhët e studentëve të Shkollës së Magjistraturës.

Me rastin është njohur dhe Ministria e Drejtësisë, Ambasada Amerikane në Tiranë dhe struktura e DSIK-së. Ndërsa ankesa ka shkuar dhe në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë.

Skandali në fjalë tregon qartazi, cenimin e integritetit moral të këtij studenti në profilin gjyqtar dhe njëherësh cenon besimin e publikut, për shkak të procedimit penal dhe arrestimit të tij, për dy vepra penale.

Pasi Elis Dine, në muajin prill 2013 është prangosur në pyllin e Semanit nga policia e Fierit, teksa kishte rrëmbyer pa dëshirën e saj një vajzë me inicialet G.N dhe tentonte të kryente marrëdhënie seksuale me të.

Rasti në fjalë, i ul imazhin e Reformës në Drejtësi, e cila synon të implementojë metoda shteruese të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, që pritet të hyjnë në sistem.

Nga ana tjetër studenti i Magjistraturës Elis Dine, vijon të jetë pjesë e ndjekjes së studimeve në vitin e fundit të shkollës, ku pritet që në muajt në vijim të emërohet gjyqtar. Në dokumentacionin që ka siguruar “Ora News” rezulton se mes dy personazheve të kësaj ngjarje, Elis Dine dhe G.N ka pasur një raport intim.

Por më pas vajza ka vendosur ti japë fund kësaj lidhje, duke mos dashur të shoqërohet me këtë person. Vajza ka treguar se ish-i dashuri e ka kërcënuar dhe marrë me forcë në makinën e tij, nga Fieri në drejtim të Semanit.

Kjo situatë është shoqëruar nga Elis Dine, me goditje me grushta të vajzës brenda në makinë. Gjatë rrugës, vajza ka tentuar në fshatin Tropojë, që të hapi derën e makinës dhe të hidhet me qëllim për tu larguar, por Elis Dine, gjyqtari i ardhshëm i drejtësisë Shqiptare, e ka kapur për flokësh duke e mbajtur me forcë, deri në momentin kur kanë shkuar në pyllin e Semanit.

Dine, ka dalë para gjykatës së Fierit, ku prokurori Enklid Gjini, ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “detyrim për paraqitje”, masë e cila është lënë në fuqi nga gjykata, duke sjellë lirimin e Dines.

Ndërsa 6 muaj më pas prokurori i Fierit, Enklid Gjini, ka firmosur pushimin e akuzave ndaj Elis Dines dhe mbylljen e çështjes penale kundër tij.

EMISIONET