Me 20 maj, studentët rikthehen në auditore

Në gjysmën e dytë të muajit maj studentët e Universitetit të Tiranës do të kthehen në auditore.Rektori, Artan Hoxha, tha se do të ketë tolerime për shkak të mangësive të shkaktuara nga mësimi online.

Studentët e Universitetit të Tiranës do të rikthehen në auditore në gjysmën e dytë të muajit maj.

Rektori, Artan Hoxha, sqaron se pavarësisht kohës kur u mor vendimi, çdo gjë ka qenë gati për të pritur të rinjtë në orët e konsultimit dhe të provimeve.

"Sezonin e provimeve sipas vlerësimit tonë ta zhvillojmë në auditore ose online, të kombinuar në raport  me programet mësimore dhe nevojës që ka secili prej tyre."

Duke marrë parasysh faktin se jo të gjithë studentët  kanë pasur mundësi të jenë të pranishëm në orët online të mësimit, gjatë sezonit të provimeve, do të ketë lehtësira.

"U japim mundësinë dhe të një sezoni ekstra për ata që kanë pasur pamundësi objektive që të paraqiten në atë që është përcaktuar normal".

Veç protokollit anti-Covid, edhe vaksinimi i më shumë se 90% e stafit pedagogjik është favorizues për rikthimin në auditore të studentëve.

"Ata që e kanë pasur mundësinë janë vaksinuar, kemi më shumë se 70-80 të pedagogëve që janë vaksinuar."

Universiteti i Tiranës bën me dije se mund të kërkojë edhe vaksinimin e studentëve, në mënyrë që të mos ketë më shumë humbje të procesit normal të leksioneve.

EMISIONET