"S’na përjashton njeri nga grupi parlamentar!" Deputetët e Berishës kundër vendimit të Bashës, përplasen me Nikollën

Ashtu sikundër dhe pritej, kriza politike brenda Partisë Demokratike zbarkoi sot në Kuvend.

Shkak u bë njoftimi i ndryshimeve në përbërjen e grupit parlamentar të PD dhe funksioneve parlamentare, vendime të marra nga Këshilli Kombëtar i PD.

Deputetët demokratë, mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha kundërshtuan përjashtimin dhe pezullimin e tyre nga grupi parlamentar i PD, duke e konsideruar një vendim nul dhe antiligjor

Edmond Spaho: Zonja kryetare, nuk e  kisha menduar kurrë që Lulzim Brava do të na sillte kohën e diktaturës. Të na përjashtoj, të na internojë. Tani po pres dhe fshatin ku do të më internojë. Nuk më përjahston njeri nga grupi paralmantar. Nuk me përjashton ai që futi kriminel në selinë e PD dhe goditi me gaz-lotsjellës anëtarët e PD. Thirri policinë për t’i masakruar. Do ndjehem edhe më i lirë për të thënë fjalën që duhet të dëgjojë populli shqiptar. Me këtë nuk ka të ardhme.  Do t’i vij dita që qytetarët do i japin atë që meriton.

Tritan Shehu: Po fillojmë keq, po fillojmë me dokumenta që paraqiten këtu që nuk janë reale, janë nul. Ju zonja kryetare jeni në dijeni ndaj ndryshimeve që ka PD pas Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetor dhe referendumit të datës 18 dhjetor. Ju është sjellë dhe zyrtarisht materiali. Mos paraqisni dokumenta që nuk i përkasin realitetit. Kërkojnë të mashtrojnë dhe të falsifikojnë realitetin. Dokumenta që kërkojnë të bëjnë veprime staliniste por në një realitet tjetër që nuk mund ti bëjnë. Ju bëj thirrje kryetare mos u bëni bashkëpunëtorë dhe mos u ktheni në një mbështetëse të këtyre ndryshimeve krejtësisht antikushtetuese. Antiligjore që shkelin dhe rregulloren e këtij Kuvendi. Para se të referoni dokumentat duhet të verifikoni, të shikoni dokumentat që kanë ardhur dhe do vinë dhe pastaj ti paraqisni Kuvendit gjëra që janë deformime të thella të realitet dhe të qëllimshme. Ti quajmë nul ato dokumente, nuk kanë asnjë vlerë. Të ecim përpara duke u bazuar në situatën e re të krijuar.

Lindita Nikolla: Nuk interpretoj vendimmarrjen politike që marrin partitë politike, jam këtu për të zbatuar vendimmarrjen e grupeve parlamentare dhe grupi më i madh parlamentar i opozitës, është grupi parlamentar i PD.

Oerd Bylykbashi: Rregullorja thotë se deputeti largohet me dëshirë nga grupi. Askush nga ne nuk është larguar, aq më pak pezulluar apo internuar në këtë sallë. Ju kërkoj që përtej njoftimit që bëtë, duke tërhequr atë koment që bëtë pak më parë, ju keni bërë vetëm një njoftim që është i paligjshëm për shkak se personat që e kanë sjellë nuk kanë funksion zyrtar në PD. Mos ta merrni në konsideratë. Ne kemi zgjedhur të kandidojmë, jemi zgjedhur për PD, jemi deputetë të PD.Ju ftoj ju, mazhorancën dhe kolegët e mi që kanë integritet të refuzojnë shkeljen e Kushtetutës, ligjit dhe rregullores. Përndryshe në këtë parlament vendoset një precedent shumë i rrezikshëm që cënon demokracinë dhe përfaqësimin.

Taulant Balla: E drejta e një grupi parlamentar për të përjashtuar dikë është e drejtë ekskluzive.Nuk ekziston koncepti i pezullimit, o jeni grup parlamentar ose nuk jeni. Grupi parlamentar i PD këtë ta adresojë në një seancë pasardhëse.Zonja kryetare jeni në zbatim të rregullores, vijoni seancën.

Lindita Nikolla: Neni 16 i rregullores përcakton që për çdo ndryshim që grupi parlamentar vendos njoftohet kryetarja e Kuvendit dhe më pas kryetarja e kuvendit ka detyrën t'ja njoftojë seancës. Kryetarja e Kuvendit nuk interpreton vendimmmarrje politike, ka detyrë vetëm të njoftojë dhe kjo ndodhi sot.

Oerd Bylykbashi: Ka vetëm një deputet i cili mendon se një marrëveshje politike është mbi Kushtetutën, e ka deklaruar njëherë dhe pasojat kanë qenë të rënda për gjithë demokracinë.

EMISIONET