SOCTA 2026 prezantohet në Tiranë / Hita: Krimi i organizuar po bëhet më i sofistikuar

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka marrë pjesë në aktivitetin për prezantimin e Vlerësimit të Kërcënimit nga Krimi i Organizuar dhe Krimet e Rënda (SOCTA 2026), ku është paraqitur dokumenti strategjik që do të udhëheqë punën e institucioneve ligjzbatuese në vitet në vijim.
Në fjalën e tij, Hita e cilësoi SOCTA 2026 jo thjesht si një raport analitik, por si një instrument që orienton luftën kundër krimit të organizuar në një kohë kur, sipas tij, ky fenomen po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar dhe po shfrytëzon teknologjinë dhe zhvillimet globale.
Ai vuri në dukje se krimi i organizuar sot funksionon në mënyrë më të strukturuar dhe me aftësi më të mëdha përshtatjeje, duke kërkuar një përgjigje të koordinuar dhe të vazhdueshme nga institucionet ligjzbatuese.
Në fokus të raportit, sipas Hita-s, është edhe analiza e krimeve mjedisore, të cilat po shfaqen si një kërcënim në rritje për zhvillimin e qëndrueshëm dhe sigurinë afatgjatë të vendit.
Ai shtoi se lufta ndaj krimit kërkon bashkëpunim të zgjeruar ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, ndërsa hetimet e përbashkëta mbeten një nga elementët kyç të suksesit operacional.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme, sipas tij, është investimi në trajnimin dhe certifikimin e specialistëve, përmes programeve si EU4Law Enforcement, që synojnë forcimin e kapaciteteve profesionale të Policisë së Shtetit.
Hita u shpreh se Policia e Shtetit synon një qasje moderne dhe të orientuar nga inteligjenca, duke e matur suksesin jo vetëm me rezultate operacionale, por edhe me nivelin e sigurisë dhe besimit të qytetarëve.


