Korrupsioni në bashkinë Tiranë, 400 € për një varr, 1700 € për lejen e rindërtimit, 10 në pranga, 2 në kërkim

10 persona janë arrestuar dhe dy janë shpallur në kërkim pas përgjimeve të realizuar te zyrtarët e bashkisë së Tiranës. Për të siguruar një vend në varreza qytetarëve u kërkoheshin deri në 400 euro, ndërsa për një leje rindërtimi duhej paguar rreth 2 mijë euro.

Prokuroria Tiranës ka zbarkuar në bashkinë e Tiranës ku ka zbuluar një skandal me dhënien e vendeve në varreza dhe për lejet e rindërtimit.

Për të siguruar një vend ne varrezat e Sharrës apo të Tufinës duhet të paguaje ryshfet shuma që varionin nga 30 mije deri në 50 mije lekë të reja ndërsa për të siguruar një leje ndërtimi apo rindërtimi për shkak të tërmetit në Bashkinë e Tiranës ryshfeti ishte 200 mije leke te reja.

Skema korruptive është zbuluar nga Prokuroria e Tiranës dhe Drejtoria e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, të cilët kanë ndaluar 10 persona ndërsa dy te tjerë janë shpallur në kërkim.

Ndër të arrestuarit është edhe përgjegjësi i sektorit të varrezave publike në Bashkinë e Tiranës, Eljodor Ndihini si dhe një pjesë e stafit ndihmës të kësaj drejtorie. Po ashtu në pranga kanë rënë edhe disa sekserë.

Hetimi është ndjekur nga prokurori Bledar Valikaj, i cili ka nxjerre urdhër ndalimin për 12 persona nga të cilët deri ne mesdite janë ekzekutuar 10 .

Sipas prokurorisë të arrestuarit në bashkëpunim me njeri tjetrin duke shfrytëzuar edhe mungesën e tokës për varre në varrezat e Tufinës dhe të Sharrës, kundrejt shpërblimit në shuma monetare që variojnë nga 30.000 deri 50.000 lekë të reja, bënin të mundur pronotimin e varreve për shtetas të ndryshëm.

Por nga përgjimet ka dale në drite dhe një tjetër skandal.

Ata ushtronin ndikim të paligjshëm tek funksionarë të ndryshëm shtetërore duke mundësuar nxjerrjen e lejeve të ndërtimit dhe rindërtimit nga tërmeti pranë Bashkisë Tiranë kundrejt pagesës 200.000 leke të reja, nxjerrjen e certifikatave të pronësisë pranë ASHK-së, përfitimin e certifikatave të vaksinimit Covid 19 sikur personat përfitues ishin vaksinuar kundrejt pagesës në vlerën 30.000 lekë te reja, gjithashtu po kundrejt pagesave ata mundësonin nxjerrje kredie të butë pranë bashkisë Tiranë.

Personat e ndaluar janë Eljodor Ndini, Xhemal Mena, Latif Shehu, Gazment Daja, Bujar Lica, Alban Ajazi, Endrin Milla,Fatjon Gjonaj dhe Julan Cukaj e Roza Ndoj si dhe u shpallen ne kerkim Shaqir Nika e Fabjan Gjonaj për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” , “Ndërtim i Paligjshëm, Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

EMISIONET