Skandali me incineratorin e Fierit/ PD: Ministria e Mjedisit 30 mln euro për pronarët në kërkim. Kontrata mban erë

Partia Demokratike i kërkon SPAK të veprojë dhe të mos heshtë lidhur me aferën e incineratorit të Fierit kosto e të cilës llogariten në kufijtë e 500 milion eurove.

Përmes një deklarate për median deputeti demokrat Luan Baçi denoncon se Ministria e Mjedisit firmosi kontratë 30 milionë euro për pronarët në kërkim të Inceneratorit të Fierit, pa VKM dhe pa e botuar në Fletoren Zyrtare

"Një kontratë koncensionare është lidhur mes ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë Integrated “Technology Waste Management” që në tetor 2016. Vlera e kontratës është 30 milion euro. Partia Demokratike, opozita dhe aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile e kanë denoncuar pa ndërprerje atë koncension që u kthye në mega-aferë. Thuajse 6 vjet më vonë ende ka shumë pyetje, por asnjë dilemë. Pronarët e inceneratorëve janë në kërkim, ndërkohë që produktet e veprës penale nuk bllokohen.

 Përgjigjet duhen kërkuar te mëkati apo korrupsioni fillestar. Që në firmosjen e kontratës mes ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë së Klodian Zotos ka shumë gjëra që “mbajnë erë”. Kompanitë e djegies së mbetjeve, që u krijuan për ta zhdukur erën e keqe nga qytetet, bënë të kundërtën, e shtuan atë. Duke shtuar, bashkë me erën, edhe kostot të cilat llogariten në kufijtë e 500 milion eurove" tha deputeti demokrat Luan Baçi përmes një deklarate për median.

PD bën dhe 5 pyetjet që pret përgjigje nga SPAK dhe i kujton raportin e KLSh i cili njoftoi se ishin dhënë 88% e fondit për inceneratorin e Fierit por nuk u investua as 12%.

1.    Pse nuk ka një VKM për 30 milion eurot e inceneratorit të Fierit, apo ka nje te tille dhe mbahet i fshehur?
 
2.    Pse kjo kontratë 30 milion euroshe nuk është botuar fare në Fletoren Zyrtare?
 
3.    Kush kishte tagrin që të injoronte vendimin e Fierit dhe ta ndërtonte krejt tjetërkund nga 10 vendosjet e vlerësuara nga Bashkia e Fierit?
 
4.    Para 3 vitesh KLSh njoftoi se ishin marrë 88% te fondit për inceneratorin e Fierit por nuk ishin investuar as 12%! Ku shkuan ato para? 

5.    Pse nuk ndërpritet kontrata dhe të dërgohet për ndjekje penale?

Këto janë pyetjet dhe secili i formulon vetë përgjigjet. Por, deveja nuk futet në thes. Thesi nuk bëhet dot llogari në offshore dhe, sado të vonojë koha, një ditë vjedhësit që e varin xhaketën te firma e Edi Ramës dhe sejmenëve të tij do të japin llogari" tha Baçi.

EMISIONET