S’ka negociata, nervozizëm në Bruksel

Pas samitit me liderët e Bashkimit Europian, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk e fshehin më zhgënjimin e tyre ndaj vendeve të unionit. Vetoja bullgare dhe burokracitë e zgjerimit ndër vite, sipas Edi Ramës dhe  Dimitar Kovaçevski kanë goditur besueshmërinë e Europës.

Kovaçevski: Shprehëm pakënaqësinë e qeverisë dhe popullit tonë me dinamikat e procesit të negociatave dhe nisjen e tyre.

Rama: Dua të shpreh keqardhjen e thellë për BE, më vjen keq për ta dhe shpresoj që të mund ti ndihmojmë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut i tregoi vijat e kuqe zyrtarëve të Brukselit, që vendi që përfaqëson nuk negocion më vlerat mbi të cilat është themeluar shteti i tij.

Kovaçevski: Nuk duhet të lejojmë që çështjet dypalëshe të shndërrohen në problem shumëpalësh.

Rama: Fryma e zgjerimit ka kaluar nga vizioni i përbashkët i një komunitetin te marrja peng nga shtetet individuale.

Në ndryshim nga Presidenti serb, Rama dhe Kovaçevksi treguan skepticizmin e tyre për sa i përket realitetit të ri politik, propozim i presidentit francez Emmanuel Macron.

Kovaçevski: Propozimi në formën aktuale është i papranueshëm për mua, për qytetarët, për partnerët e koalicionit, për qeverinë, për presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Rama: Ne do ta vlerësonim shumë nëse ky komunitet i ri politik i Europës ngrihet për të qenë bashkë në një shtëpi të përbashkët, si një familje e vetme.

Duke e krahasur unionin me teatrin absurd të Samuel Beckett, kryeministri Edi Rama i tregoi Brukselit që Ballkani nuk do të qëndrojë duke pritur BE, por do të vazhdojë përpara me Open Balkan.

Ky bashkëpunim sipas liderëve shmang tensionet në Ballkan.

Rama: Te Godoja është shumë e qartë, Vladimir dhe Estragoni, pra Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë sëbashku. Vladimiri i thotë Estragonit: A do lëvizim? Dhe Estragoni thotë: Po, le të lëvizim. Por është Samuel Beckett, BE, që thotë askush të mos lëvizë.

Kovaçevski: Do të europianizojmë shoqëritë tona, do të përmirësojmë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë përmes nismës Ballkani i Hapur.

Zhgënjyes ka qenë edhe për Kosovën ky takim i radhës i BE me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Rama: Ka një tjetër pengmarrje në proces që është pengmarrja e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk lejohen të lëvizin lirisht në Europë.

Pas batutave me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut në Selanik, kryeministri shqiptar e gjeti me vend që kësaj radhë të ngacmojë “vëllain” e tij politik Aleksandër Vuçiç.

EMISIONET