Shtyhet seanca për inceneratorin e Tiranës, SPAK kërkoi kohë
Shtyhet seanca paraprake për inceneratorin e Tiranës, SPAK kërkoi kohë që të administronte disa akte. Në sallë ishin të pranishëm të gjithë personat e marre të pandehur, në lidhje me këtë çështje.
Në fund të muajit nëntor, Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar ankimin e bërë për heqjen e masës së sekuestros ndaj inceneratorit të Tiranës. Përmes një vendimi të marrë në Mbledhjen e Gjyqtarëve, Kushtetuesja ka vlerësuar të mos kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare, duke i lënë kështu në fuqi vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit për masën e sekuestros ndaj shoqërisë “INTEGRATED ENERGY BV SPV” SH.P.K. dhe të gjitha pasurive të luajtshme e të paluajtshme të saj.
Masa e sekuestros së kërkuar nga SPAK u miratua në Gjykatën e Posaçme në korrik të vitit të shkuar e më pas edhe në Apel dhe Gjykatën e Lartë, pas dyshimeve se aksionerët de facto të saj janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim 12 të pandehur për “shpërdorim detyre”, për inceneratorin e Tiranës.
Lista kryesohet nga ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka për të vijuar me zyrtarë të lartë të kësaj ministrie, anëtarët e Komisionit të dhënies së koncesionit që përfshijnë edhe zyrtarë të lartë të Bashkisë së Tiranës, si dhe dy punonjës të Qendrës Kombëtare të Biznesit.
SPAK ka gjetur shkelje ligji dhe vendime qeverie para dhe gjatë dhënies së koncesionit për Integrated Energy B.V SPV me vlerë investimi mbi 128 milion e 248 mijë euro.
Komisioni, ministri Koka dhe dy zyrtarët e lartë të ministrisë së Mjedisit: drejtoresha juridike Alba Thoma dhe i Sektorit të Prokurimeve Bledar Karoli, kanë propozuar dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës, shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV” në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e Klodian Zotos, “Integrated Technology Services” sh.p.k, që ka qene në dijeni të rrethanave konkurruese para se të shpallej procedura.
Po i njëjti grup të pandehurish kanë shkelur ligjin pasi, sipas SPAK, dokumentet standarde të koncesionit nuk rezultojnë të jenë hartuar dhe miratuar nga anëtarët e komisionit, kur ato janë ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik.
Rezulton se nga ana e komisionit nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e Dokumenteve Standarde të Koncesionit. Dokumentet sipas SPAK janë hartuar nga punonjësit e Klodian Zotos dhe u janë dërguar dy zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit, “ura lidhëse” me shoqërinë e Klodian Zotos.
Ministri Lefter Koka ka miratuar vazhdimin e procedurës për dhënien e koncesionit, pa dokumentacion shoqërues të Dokumenteve Standarte të Koncesionit nga ana e Komisionit.
Ligji për koncesionet është shkelur nga komisioni edhe për studimin e fizibilitetit, duke i marrë pa asnjë verifikim kostot e dërguara nga shoqëria propozuese, ku rezulton e rritur fiktivisht tarifa e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.
Sipas SPAK nëse Komisioni i Dhënies së Koncesionit do të kishte përllogaritur të ardhurat që shoqëria koncesionare do të përfitonte nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, pjesa që do të mbulonte buxhet i shtetit do të ishte më e ulët.
Lidhur me rolin e punonjësve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, SPAK thotë se Jetmir Llapaj dhe Silena Tola kanë shkelur ligjin në lidhje me regjistrimin e pronarëve përfitues fundor të shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”.
Rezulton se nuk është dorëzuar dhe administruar dokumentacioni shoqërues justifikues për të provuar ndryshimin e aksionerëve përkatës për periudhën kohore në fjalë. SPAK e mbyll njoftimin duke thënë se hetimet për inceneratorin e Tiranës vijojnë deri në daljen e përgjegjësisë së çdo personi dhe institucioni që ka pasur rol në përfitimin dhe zbatimin e kontratës për inceneratorin e Tiranës, i sekuestruar afro një vit më parë.