"Shqipëria po drejtohet nga njerëz me diploma të blera"/ Muka: Prandaj arti dhe arsimi janë në krizë
Studiuesi Taulant Muka, i ftuar në emisionin "Ora e Betit" në Ora News, foli për gjendjen e arsimit, kulturës dhe artit në vend, duke e lidhur degradimin e këtyre sektorëve me mënyrën se si drejtohen institucionet publike.
Sipas Mukës, problemet që shfaqen sot në kulturë dhe art e kanë zanafillën te sistemi arsimor dhe mungesa e meritokracisë. Ai u shpreh se vendi ka nevojë për më shumë hapësirë për profesionistët, intelektualët dhe njerëzit e punës, në mënyrë që institucionet të drejtohen nga individë me formim dhe përgatitje të duhur.
"Ne po drejtohemi nga njerëz pa shkollë, nga njerëz që e kanë blerë diplomën dhe që e shesin veten si intelektualë. Nuk kemi art, arti është shkatërruar, kultura është shkatërruar. Pse ka ndodhur kjo? Sepse gjithçka fillon nga arsimi."-tha ai.
Gjatë diskutimit u ndal edhe te largimi i artistëve dhe profesionistëve nga Shqipëria. Në këtë kontekst u përmend rasti i aktorit Gent Bejko, i cili prej vitesh jeton në Kanada. Sipas Mukës, shumë qytetarë nuk janë larguar vetëm për arsye ekonomike, por edhe për shkak të mungesës së mundësive për të ndërtuar një karrierë dhe jetë dinjitoze në vend.
"Shumica e shqiptarëve që janë larguar, sipas statistikave dhe studimeve, nuk janë larguar vetëm për arsye ekonomike. Ka shumë prej tyre që nuk kanë gjetur hapësirë për të jetuar dhe punuar me dinjitet në një sistem ku mungon gara e ndershme dhe vlerësimi i meritës."- u shpreh studiuesi.
Muka bëri thirrje për një ndryshim të qasjes ndaj institucioneve dhe arsimit, duke argumentuar se vetëm përmes meritokracisë dhe përfshirjes së profesionistëve mund të krijohen kushtet për të frenuar largimin e intelektualëve dhe për të forcuar sektorë si arsimi, kultura dhe arti.


