Shpërthimi tragjik në Lushnjë, ngrihen tre akuza, ja për çfarë dyshohet
Policia e Lushnjës ka referuar në Prokurorinë e Fierit dosjen për ngjarjen tragjike ndodhur paraditen e së premtes, ku humbën jetën dy persona dhe 7 të tjerë u plagosen, në mesin e tyre edhe deputeti, Bujar Çela.
Sipas burimeve janë ngritur zyrtarisht tre akuza, ndërtim i paligjshëm pasi objekti ka devijuar nga leja, shkatërrim prone nga pakujdesia dhe shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:05 të premten në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, në një kapanon në ndërtim. Dyshohet se gjatë punës, vinçieri duke drejtuar vinçin, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm.
Në momentin kur ka ndodhur shpërthimi vinçi dyshohet se ka qenë duke ngritur bombola me oksigjen të cilat po përdoreshin për saldim.
Si pasojë e shpërthimit humbën jetën dy persona,Roland Hoxha dhe djali i tij Elidon Hoxha. Roland Hoxha, Landi Verçani (ka ndërruar identitetin për shkak të dokumentacionit), humbi jetën në vendngjarje, ndërsa djali i tij Elidoni ka ndërruar jetë ndërsa po transportohej drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Ndërkohë që i plagosur ka mbetur edhe deputeti Bujar Çela, i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, por sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.