I riu mohon tritolvënien në shtëpinë e Dukës, u arrestua pas kthimit nga Tirana, dy akuza të rënda ndaj tij
Arlen Hasanaj, 34-vjeçari durrsak që dyshohet se vuri tritolin në portën e jashtme të banesës së kreut të FSHF-së, Armand Duka, mbrëmjen e 24 janarit, do të përballet me dy akuza të rënda.
Mbi të rëndojnë veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
I riu, banues në lagjen nr. 4, Durrës ku jeton edhe Duka, u arrestua mbrëmjen e të martës, 25 janar.
"Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, nga veprimet e para hetimore, dyshohet se është autori i vendosjes së tritolit në portën e jashtme të banesës së shtetasit A. D., ngjarje e ndodhur në datën 24.01.2022" tha policia.
Për identifikimin e ndihmuan kamerat e siguriësë dhe lëvizjet e të riut. Ora News mëson se deri tani ai nuk ka pranuar autorësinë e krimit.
Policia e arrestoi pasi u kthye nga Tirana dhe po shkonte në banesa. Gjatë shoqërimit ai nuk ka bërë rezistencë.
34-vjeçari nuk ka qenë i skeduar asnjëherë nga policia.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e provave të tjera ligjore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.