“Arrest” në “shtëpinë e barit”, Gjykata e Shkodrës nxjerr nga burgu gruan, burri ende në arrati

Teksa bashkëshorti mbetet në arrati, Gjykata e Shkodrës ka nxjerrë nga qelia 45 vjeçaren e arrestuar pasi në banesën e tyre u zbulua një laborator i rritjes së kanabisit. Marjana Vuksanaj do të hetohet me masën arrest shtëpie.

Gjykata e Shkodrës, nxori nga qelia 45 vjeçaren Marjana Vuksanaj, e vënë në pranga pasi policia zbuloi se bodrumi i banesës së familjes në Jeran të Malësisë së Madhe ishte kthyer në laborator për rritjen e bimëve narkotike.

Togat e zeza e vlerësuan të ligjshëm arrestimin, por pranuan kërkesën e mbrojtjes që hetimi për gruan të vijojë me masën e arrestit në shtëpi.

Ndërsa bashkëshorti 55-vjeçar, Gjovalin Vuksanaj, i cili ditën kur policia mësyni I shpëtoi arrestimit, ndodhet ende në arrati.

Ai dyshohet se është edhe organizatori i shndërrimit të bodrumit të banesës në shtëpi bari për rritjen e bimëve narkotike.

Aty kishin vendosur 63 llamba elektrike të cilat furnizoheshin me një lidhje të paligjshme energjie dhe kanabis sativa rritej në vazo.

Burimet thonë se ishte pikërisht lidhja e paligjshme për vjedhjen e energjisë ajo që zbuloi veprimtarinë e bashkëshortëve Vuksanaj.

Gjatë aksionit policia sekuestroi 139 kilogram kanabis të gatshme për treg dhe 132 fidanë kanabis sativa në proces rritje.

Siç tregojnë pamjet e shpërndara nga policia e Shkodrës, ambienti ku kultivohej kanabisi veç llambave të ngrohjes ishte i përshtatur edhe me pajisje të tjera për këtë veprimtari të cilat u sekuestruan.

Gjatë këtij viti në Shqipëri janë zbuluar disa të ashtuquajtura Shtëpi Bari, të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me ngrohje me llampa.

 

EMISIONET