Shkodër: Çifti përshtat bodrumin si "shtëpi bari". Arrestohet gruaja, burri ikën

Një e ashtuquajtur shtëpi bari është zbuluar në fshatin Jeran të Malësisë së Madhe. Bashkëshortët Marina dhe Gjovalin Vuksanaj e kishin kthyer bodrumin e banesës në një serë për rritjen e bimëve narkotike me llamba.Gruaja 42-vjeçare përfundoi në pranga, ndërsa burri është në arrati.

Bashkëshortët Marina dhe Gjovalin Vuksanaj e kishin përshtatur banesën në fshatin Jeran të Malësisë së Madhe në një “shtëpi bari”.

Nga korridori, zbrisnin në bodrum që e kishin kthyer në një serë për kultivimin e bimëve narkotike.

Aty kishin vendosur 63 llamba elektrike të cilat funizoheshin me një lidhje të paligjshme energjie dhe kanabis sativa rritej në vazo.

Policia e Shkodrës thotë se kishte marrë informacion se bashkëshortët Vuksanaj ishin kthyer në fermerë të kultivimit të bimëve narkotike në kushtet laboratorike.

Kur forcat operacionale mësynë shtëpinë e barit, gjetën aty 139 kilogram kanabis të gatshme për treg.

132 fidanë kanabis sativa ndërkohë ishin në proces rritje në vazo.

Marina Vuksanaj, 45 vjeçe, u gjet në shtëpi dhe u vu në prangat e policisë në kushtet e flagrancës.

Ndërsa bashkëshorti 55-vjeçar, Gjovalin Vuksanaj, i shpëtoi arrestimit dhe aktualisht ndodhet në arrati.

Siç tregojnë pamjet e shpërndara nga policia e Shkodrës, ambienti ku kultivohej kanabisi veç llambave të ngrohjes ishte i përshtatur edhe me pajisje të tjera për këtë veprimtari të cilat u sekuestruan.

Familjes Vuksanaj iu sekuestrua edhe një makinë.

Ndaj bashkëshortëvë Marina dhe Gjovalin Vuksanaj, policia e Shkodrës ngriti akuzat për "Prodhim dhe shitje e narkotikëve" dhe "Kultivim të bimëve narkotike” të kryera në bashkëpunim.

Të ashtuquajturat “shtëpi bari”, e konsideruar si traditë në Angli apo vende të tjera të BE, janë konfirmuar si trendi i ri i kultivimit të bimëve narkotike këtë vit në Shqipëri.

EMISIONET