Shkatërrohet rrjeti shqiptar i kokainës në Belgjikë, konfiskohen 80 ton kokainë e 1 mln euro

Shkatërrohet rrjeti shqiptar i kokainës në Belgjikë,

Policia belge ka goditur një rrjet të gjerë i trafikimit të kokainës për në Europë, i drejtuar kryesisht nga shtetas shqiptarë.

Superoperacioni i së martës mobilizoi mbi 1,100 policë belgë dhe përfundoi me arrestimin e 64 personave.

Rrjeti kriminal importonte kokainë nga Kolumbia nëpërmjet detit me kontejnerë ose anije private, dhe pasi e shkarkonte dhe e ripaketonte sasinë në Belgjikë, e shpërndante më tej në Itali, Gjermani, Suedi, Francë, Holandë dhe Portugali.

Aplikacionet e specializuara për celularë, si Encrochat dhe Sky ECC, përdoreshin me idenë se i mbronin nga përgjimet prej organeve ligjzbatuese.

Frederic Van Leeuë, prokurori federal: "Interesante është se ishin kaq të bindur se nuk do të interceptoheshin, saqë i përdornin për të shkëmbyer ekskluzivisht informacione kriminale. Kemi qenë të shtangur nga dhuna, nga tufat me para mbi të cilat qëndronin këta baronë droge, dhe nga gjithçka që bënin për të destabilizuar shoqërinë."

Polici federal Eric Snoeck: "Për sa i përket konfiskimeve, janë gati 80 tonë kokainë të kapura në territorin belg. Vlera në treg arrin gati 5 miliardë dollarë. Ka, pastaj, një arsenal parash të pastruara në makina e ora luksoze dhe rreth 1 milion euro para kesh."

Operacioni i së martës, (26 tetor)  në Bruksel përmbyll një hetim 1.365-ditor.

Drejtuesit e policisë belge thanë se nuk ka dyshime se Belgjika është kthyer në një vend ku operojnë mafia dhe organizata kriminale të nivelit botëror.

Në portin belg të Antverpit u konfiskuan në vitin 2020 një rekord prej 65 tonë kokainë nga vendet e origjinës si Kolumbia, Brazili dhe Ekuadori.

EMISIONET