Shijaku ia kalon dhe Tiranës, Kryebashkiaku Elton Arbana emocionohet nga lavdërimet e shefit të tij
Kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana është shfaqur i emocionuar nga falënderimet e kryeministrit Edi Rama gjatë takimit të sotëm me kryetarët e bashkive.
Rama e konsideroi Shijakun si një nga bashkitë më shembullore krahasuar edhe me Tiranën. Sipas Ramës ajo që ka ndryshuar në bashkinë e Shijakut është lidershipi.
Edi Rama: Ne patëm një proces shumë të dhimbshëm, shume të vështirë, kompleks, sfidues që ka vënë në vështirësi dhe vende shumë më të organizuara se ne, procesin e rindërtimit katastrofik. Dhe bashkia më shembullore në të gjitha bashkitë përfshirë edhe Tiranën është Shijaku. Në çdo hap një përgjigje e institucionit sikur të ishte një institucion perëndimor. Mos vallë erdhën nga Gjermania dhe nga Franca nënpunësit e bashkisë së Shijakut, që bashkia e Shijakut nuk ka shkelur një afat në dhënien e dokumenteve, inventarizimin, dhënien e bonuseve qëndrimin pranë qytetarëve, ndjekjen e punimeve të gjitha. Shumica e njerëzve që janë në bashkinë e Shijakut janë ato që ishin më përpara por çfarë ndryshoi në bashkinë e Shijakut? Ndryshoi lidershipi. Bashkia e Shijakut nuk ka pasur asnjë kujdes më të veçantë se bashki të tjera dhe ja ku është sot, bashki kampione. Dhe dy bashkitë e mëdha Tirana dhe Durrësi nga pikëpamja e funksionimit në këtë proces kanë çfarë të mësojnë nga bashkia e Shijakut. Këtu po bëj diferencën duke evidentuar disa bashki të cilat nuk i kanë kushtet si disa bashki më të mëdha.
Rama i klasifikoi bashkitë si shembullore, të mira, dhe disa të tjera problematike. Të qenit bashki problematike tha se do të thotë të qenit problematike për qytetarët.
"Mos vallë erdhën nga Gjermania dhe nga Franca nënpunësit e bashkisë së Shijakut, që bashkia e Shijakut nuk ka shkelur një afat?", tha Rama.